Ndryshimet në SHISH thyejnë demokratët
Ndryshimet në ligjin e Shërbimit Informativ Kombëtar sprapsën dje Partinë Demokratike nga qëllimi i saj për të kufizuar brenda këtij sesioni parlamentar mandatin e kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri. Burimet bëjnë të ditur se situata në 24-orëshin e kaluar për demokratët ka qenë e ngarkuar me negociata dhe llogaritje për sa i përket dilemës nëse do të mundnin apo jo që ta kalonin në seancën e djeshme draftin e deputetit demokrat, Fatos Hoxha, ku parashikohej edhe kufizimi i mandatit të kreut të SHISH-it. Paqartësia e situatës u bë evidente nisur nga fakti se, pavarësisht kërkesave të përsëritura të opozitës ndaj Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për ta bërë publik rendin e ditës së seancës, Parlamenti edhe në nisje të punimeve të tij të djeshme ende nuk kishte një rend dite zyrtar. Nga ana tjetër, seanca plenare, e cila ishte paralajmëruar se do të niste në orën 09:00 të paradites së djeshme, arriti të fillonte vetëm në orën 11:00. Burimet bëjnë të ditur se gjatë këtyre dy orëve nuk kanë munguar konsultat e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, me përfaqësuesit e grupit parlamentar të PD-së dhe me vetë Kryeministrin Berisha. Nga ana tjetër, grupimi i demokratëve ishte pothuajse i plotë në sallën e Kuvendit dhe asnjë nga ministrat e qeverisë nuk mungonte në këtë seancë të fundit. Nga ana tjetër bëhet e ditur se përgjatë fundjavës, deputetët e grupimit parlamentar ishin lajmëruar të ishin prezentë në sallë, po kështu edhe deputeti demokrat i Beratit, Lefter Maliqi, i cili prej javësh ndodhej në Angli. Diskutime mësohet se ka pasur edhe me tre deputetët të cilët në seancën e shkuar refuzuan ta miratonin këtë nismë. Por konsultat në lidhje me numrat nuk u zhvilluan vetëm mes deputetëve të PD-së. Burimet bëjnë të ditur se paraditen e djeshme nuk ka munguar as komunikimi i Kryeministrit Berisha me zëvendëskryeministrin, njëkohësisht kreun e LSI-së, Ilir Meta. Në këtë komunikim mësohet se Meta, në mënyrë të qartë nuk ka pranuar miratimin e ndryshimeve në ligjin e SHISH-it në seancën e djeshme, duke kërkuar që kjo nismë të ketë një diskutim më të gjerë në muajin shtator. Nga ana tjetër, pjesëmarrja pothuajse e plotë e përfaqësuesve të opozitës në seancën e djeshme parlamentare ka qenë edhe arsyeja e radhës për të mos e kaluar këtë nismë për miratim në sallë. Por krahas kësaj situate, kreu i qeverisë, Berisha, i pranishëm në sallën e Kuvendit, deklaroi se mazhoranca aktuale nuk kishte asnjë problem me numrat. Kjo deklaratë e kreut të qeverisë erdhi pas akuzave që i bëri për këtë çështje kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. “Ti, zoti Berisha, je i sëmurë politikisht. Ju bëni sikur nuk ka ndodhur gjë. Ne në këtë seancë të nisur 2 orë me vonesë vijmë pas një seance maratonë, për një problem të madh, ku sot vihet në diskutim qeverisja juaj, numrat tuaj. Sot ju jeni rrëzuar politikisht, kjo është arsyeja”, deklaroi Ruçi. E menjëhershme ishte edhe përgjigjja e Kryeministrit Berisha për këtë sfidë: “Unë ju garantoj se qeveria dhe ky koalicion do të jenë jetëgjatë. Sa u përket votave, zoti Ruçi të ftoj të bësh mocion besimi. Por ju jeni pa kokrra, se ai që ju ka prurë këtu, ju ka lënë pa kokrra. Ju nuk bëni dot mocion, sepse nuk mund të bëni mocion”, ju kundërpërgjigj Kryeministri.
#