E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet në qeveri, Sejdiu: Nuk jam pjesë e tyre

PRISHTINE- Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka mohuar të ketë qenë pjesë e negociatave për ndryshimet në qeveri.
“S’jam pjesë e emërimeve dhe shkarkimeve. Unë çmoj përpjekjet e partnerit të koalicionit, që të ketë formacion, i cili do të marrë obligime shtesë në sfidat, që Kosova ka para vetes”, ka thënë Sejdiu, duke vlerësuar punën e ministrave të shkarkuar.

“Nuk kemi mbërritur zenitin në kuptimin e vendit, për të arritur nivel më të lartë të demokracisë, sikur që s’e kanë bërë as vendet e rajonit këtë. Askush nuk ia ka dhënë pikën kërkesës për qeverisje më të mirë dhe për më shumë demokraci. Prandaj, është borxh i këtij formacioni, që të lëvizë edhe më shpejt dhe mendoj se është e rëndësishme që do të ketë mbështetje të mirë,” shtoi Sejdiu.

Këto komente presidenti i bëri gjatë vizitës që i bëri një familjeje serbe në Graçanicë, ku uroi të gjithë besimtarët ortodoksë të vendit për festën e tyre, dhe tha se Festa e Pashkëve Ortodoks është një festë e mesazheve të mira për të gjithë njerëzit, festë e mesazheve të mira për bashkëpunim njerëzor dhe humanizëm, ndërsa kujdesi i institucioneve të vendit do të jetë i njëjtë për të gjithë qytetarët pa dallim etnie e besimi.
(m.a/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›