E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vatikan, Papa uron pashkët edhe në shqip

VATIKAN- Sipas traditës, Papa Bendedikti i 16-të ka uruar pashkët në të gjitha gjuhët e botës, edhe në shqip. Nga sheshi i “Shën Pjetrit”, Papa bëri thirrje në mesazhin e tij për paqe e harmoni në botë. “Edhe në ditët tona njerëzimi ka nevojë për shpëtimin e ungjillit, për të dalë nga një krizë e thellë dhe si e tillë kërkon ndryshime të thella, duke nisur nga ndërgjegjja” – tha Papa në mesazhin e tij.

Duke vijuar më tej Papa Benedikti i 16-të u shpreh se ndjehet nevoja e një eksodi, jo për rregullime sipërfaqësore, por për një ndryshim shpirtëror dhe moral. Për komunitetin e krishterë, vecanërisht atë në Irak, të cilët përballen me prova e vuajtje, Papa thotë, “Paqja qoftë me ju”.
Në mesazhin e tij, Papa nuk ka lënë pa përmendur edhe vendet e Amerikës Latine e Karaibet që sic u shpreh ai po përjetojnë një përshkallëzim të krimit e trafikut të drogës, duke shpresuar që kjo festë të shënojë fitoren e bashkëjetesës në paqe dhe respektin për të mirën e përbashkët.

Për zonat e prekura nga tërmeti mesazhi i tij iu dërgua popullit të shkatërruar të Haitit, për të cilët Papa lutet që të gjejnë forcën për një shpresë të re, të mbështetur në solidaritetin ndërkombëtar. Papa ka përmendur më tej edhe Afrikën, duke shpresuar që ti jepet fund konflikteve që vazhdojnë të provokojnë shkatërrim dhe vuajtje dhe të arrihet paqja.

Urimi i Papa Benediktit të 16-të, vijoi më tej në 65 gjuhë të botës, mesazhi tradicional i Pashkëve “Urbi e Torbi” në sheshin Shën Pjetri është njëri nga dy fjalimet kryesore me të cilin Papa i drejtohet opinionit, në mbarë botën 2 herë gjatë vitit.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›