E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgaj: “Kanabis” do përdorim satelitin për parcelat e Lazaratit

GJIROKASTËR- Detyrat e dhëna Shqipërisë për procesin e liberalizimit të vizave, kanë nxitur Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj të udhëtojë drejt Jugut në rrethet, Gjirokastër, Vlorë, Sarandë, ku fenomeni “Kanabis” është gjithnjë e më prezent jo vetëm në kultivimin e tij por edhe në trafikun e paligjshëm në rrugë tokësore dhe detare.

“Lazarati” apo ndonjë fshat tjetër si ai nuk do bëhen pengu i Shqipërisë për liberalizimin e vizave u shpreh me tone të ashpra në Gjirokastër Burgaj, ku kërkoi që forcat policore në këtë qark të përdorin edhe filmimet e satelitit për të zbuluar vendndodhjen e parcelave të mbjella me kanabis në Lazarat. “Përdorini filmimet e satelitit dhe ndërhyni” urdhëroi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë në Gjirokastër ndërsa vuri theksin që të përdoren të gjitha metodat për luftën kundër fenomenit Kanabis deri në zhdukjen e plotë të tij nga Shqipëria.

“Në kushtet kur kufiri tokësor po menaxhohet mjaft mirë u shpreh Burgaj, ne nuk do të lejojmë që Lazarati të bëhet pengesë për liberalizimin e vizave”. Pas Gjirokastrës Burgaj u ndal edhe në Vlorë e Sarandë, ku kërkoi nga të gjitha forcat policore të vlerësojnë rëndësinë e ruajtjes së kufirit tokësor e detar nga trafiku i paligjshëm i Kanabisit.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›