E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaçe, pas 12 vjetësh, përsëri me ty

E shumëdashura mike, Kur fëmijët më thanë se do të pushonim në Zvicër, mendja më shkoi menjëherë tek ti, dhe pyeta a është larg Bazeli? Më kuptuan përse pyesja dhe më premtuan takimin me ty. Atje, atëherë, nuk më mbeti kohë të të tregoja mbresat e mia për vendin ku ti jeton dhe prandaj e gjej tani mundësinë.
Duke mbajtur në prehër Nersën e vogël, shihja që nga avioni se si më largohej vendi im, malet, qytetet, lumenjtë e gjithçka. Po fluturoja për herë të parë drejt zemrës së Evropës dhe përpija me kërshëri pamjet që më shfaqeshin. Ditët qenë të mbushura me “lodhje të këndshme” dhe unë u pataksa me madhështinë e Jungfraujoch, me trenat që ngjiteshin deri në lartësi të paimagjinueshme për mua, me akullin në lartësinë 3571 m mbi nivelin e detit, habitesha me tunelet e gjata, ashensorët në zemër të malit etj, etj. Vizitova qytete e fshatra turistikë (ku qe fshati në Zvicër?!), lule pa mbarim, një rregullsi e mahnitshme, rrugë të pastra e të qeta e shumë të tjera…
Oh nënë, thashë me zë, sa bukur! (njeriu në çaste kulmore thërret nënën), fola në shqip, në gjuhën time, e në çast ndjeva një keqardhje, keqardhje që aty thellë gjoksit të majtë, m’u kthye në dhimbje…dhe u dyzova në ndjenjë e mendim.
Duke u përulur me respekt ndaj dorës së zviceranit dhe së zviceranes që arritën mrekullitë dhe ndaj mendjes së tyre që ruajtën me kujdes të vjetrën, punën e të parëve të tyre dhe e vazhduan më tej, e zbukuruan dhe e rritën, mendoja: edhe në vendin tim ka male të larta e akullnaja shekullore, dhe Alpet tona janë hijerënda e madhështore por kush mendon për to? Dhe në Shqipëri ka lugina e fusha, liqene e lumenj, por përse kanë mbetur ashtu si jetimë?! Kundroja lulet si në Parajsën e ëndrrave dhe thosha me vete se edhe në atdheun tim ka lule mali e fushe, gra të mira që duan të kujdesen për to, po përse u shfytyrua Kopshti Botanik edhe lulet i importojmë?! Shihja lopët që ktheheshin gjiplota, shatërvanët me ujë të rrjedhshëm që freskonin kalimtarët dhe më vinte ndër sy pamja me gratë e burrat e vendit tim, të cilëve u thaheshin rubinetat, shihja të moshuara që zbaviteshin nëpër gjelbërime duke ngrënë akullore dhe më dhimbeshin moshataret e tyre në vendin tim, të cilat numëronin se sa para u mbeteshin mbas faturave e ilaçeve…e ky dyzim më ndoqi kudo. Deri kur vallë, përse? Sepse ata që duhet të mendojnë, mendojnë për të tjera gjëra…Sa shumë dëshiroj e shpresoj që as unë, askush nga ne të mos ketë dyzime, e të ndihemi sit ë tjerët. Po kur, kur?
Gjithsesi u kënaqa mjaft, por më e bukura kënaqësi qe kur përballë m’u shfaqe ti me të dashurit e tu: Pjetrin, Irmën tënde thesar dhe motrën që s’t’u nda kurrë, po vije drejt nesh si një mbretëreshë, rrethuar me dritë e gaz malli. U ndala unë, dhe u ndalën vitet, u shkrinë 12 vjet, përsëri me ty e ti me mua, u kthyem në fëmijë, në foshnjore e në klasë të parë, vajza të reja, gjimnaziste, të rritura e më tej…Ulur pranë e pranë në restorantin “Montana” nuk dëgjonim që Pjetri e Irma “ziheshin” për menunë më të mirë, nuk dëgjonim fare bisedat e vajzave tona, vetëm flisnim e flisnim, doje të çmalleshe, të erdhi një copëz nga e shkuara…Nersa e vogël, me kokë mëndafshkaçurrel, me buzët e përlyera nga akullorja e Irmës, të shihte dhe nuk e kuptonte ajo se përpara saj ishte një nga gratë më të mëdha të Shqipërisë, e cila e bëri të njohur vendin e saj më fort se dhjetëra pasaporta diplomatike. Dhe më vjen keq që shumë si ajo nuk do të dinë!
Shumë nga ata që tani janë të moshuar, të kanë adhuruar kur dëgjonin të këndoje si rrallëkush, brezi ynë të ka adhuruar dhe të adhuron, më të rinjtë mësuan prej teje, port ë gjithë të njohin kur ti u bëre e madhe dhe të “doli nami” por pak dinin, dhe sot e kësaj dite gjithë ajo periudhë e gjatë kohe deri sa u bëre e tillë, kalonte me një togfjalësh të thjeshtë “Një vajzë nga Lushnja” dhe vetëm kaq. Kjo qe arsyeja që unë, e dashura mike, shkrova vetëm për 20 ditë librin tim për ty, me qëllim që të tjerët të mësonin se ti s’u bëre e madhe ashtu kot, se veç dhuratës së natyrës u rrite me kujdes e dashuri nga prindërit e tu të mirë e fisnikë, të thjeshtë, por të ndershëm, punëtorë e zemërmëdhenj. Se ashtu si bima apo lulja ka nevojë për përkujdesje, për ta ujitur apo për ta pastruar, ashtu u kujdes familja, qyteti i lindjes për ty, dhe ti ua shpërbleve. E shkrova atë libër modest që brezat që vijnë të të njohin si arrite deri tek një artiste e madhe, që zoti Dudushi apo të tjerë gazetarë nëpër emisionet e tyre të mos mbledhin një rreth vetëm artistësh, të cilët kanë kënduar me ty, apo kanë kënduar këngët e tua. Pa ulur respektin për ta, dua të them se këta gazetarë që marrin përsipër të tilla nisma, të mos harrojnë se ti ke jetuar midis bashkëqytetarëve të tu, midis shokëve të shkollës, ke biseduar e qeshur me ta, ke ngrënë e ke fjetur, e këta njerëz janë gjallë e profesionistë të shkëlqyer në fushat e tyre e që dinë shumë e shumë për ty e jo thjesht “një vajzë nga Lushnja”.
Rri e të shoh shoqja ime, dhe kujtoj se sa miq e shokë më pyesin se ku mund t’i gjejnë këngët e tua. Më thanë familjarët e tu se nuk janë mbledhur, kush do ta bëjë? Për shumë arsye s’mund ta bëjnë ata që të duan, por si s’u kujtua dikush në MKRS, kur për raste jo kaq të rëndësishme derdhen miliona? Përse në koncertin e organizuar për ty të tjerë këndonin këngët e tua, kur mund të jepeshin në origjinal? Të rrimë të presim tani 75 apo 80-vjetorin tënd. Të rinjtë kërkojnë të dinë më shumë. Borana ime dhe Mariusi i vogël më thanë një ditë kur po bisedoja për ty se përse nuk ka një disk me këngët e saj? ç’t’i thosha!
çuçuris me ty e s’më pushon goja, të dhashë përqafimet e motrës sime, të Nevilës sime e të familjeve të tyre, të të afërmve e të shoqeve e të shokëve tanë. Më ka marrë malli për të gjithë dhe për gjithçka, the.
Të dy mbesat e mia e nipi im, do t’u tregojnë shokëve kur të rriten, fotografitë e tua e do t’u thonë se kjo është këngëtarja më e madhe e kohës së saj, dhe pastaj me mburrje do të shtojnë se është simotra e nënës sonë.
Rri e të vështroj, bisedoj me ty e njëherazi mendoj se rrallë shumë rrallë ndodh që në jetë, në gjallje, të kesh kaq lavdi, të kesh një bust tëndin, një teatër me emrin tënd, libër për jetën tënde, një këngë, çmime e tituj nga më të lartit e një adhurim të pashoq, e rrallë ndodh gjithashtu që njeriu që i bart, të jetë kaq i thjeshtë e modest sa ti. E dashura ime, je së vërteti “Nder i Kombit tënd”.
Përpara nesh shtrihet qyteti i mahnitshëm Luzernë me liqenin në gji, përqafuar nga gjelbërimi e mbuluar nga lulet. S’dua të mendoj se orët që unë desha të zvarriteshin, fluturuan. Sa gjëra lamë pa thënë, ti prishe për mua regjimin tënd, por më fale.
Zbresim ngadalë. Pyetjes së Irmës se a u kënaqe, iu përgjigje thjesht: Shumë, por nuk u çmalla. Dhe unë kështu thashë.
Hipe në makinë. Të shihja të rrethuar me një aureolë drite e shkëlqimi të veçantë, nuk e di përse s’deshe ta ktheje më kokën nga unë, e mua m’u mjegulluan sytë duke menduar: Bota sa e madhe aq e vogël është, dashuria dhe miqësia janë më të mëdha e më të fuqishme, pra do të shihemi sërish.
Me dashuri ndaj të gjithëve
Leta

Violeta Librazhdi-Kadzadei është shoqe me Vaçen që nga mosha 5-vjeçe e deri tani. Ajo është autorja e librit “E papërsëritshmja Vaçe Zela”, botuar pak vite më parë. U takuan në Zvicër, pas 12 vjet ndarjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›