I pandehuri Sefgjini, në krye të "Shërbimit të Provës"
SEFGJINI
TIRANË- Pavarësisht akuzës së rëndë që rëndon mbi ish-kreun e SHIK-ut në kryeqytet, Arben Sefgjinin, për ministrin e Drejtësisë ky fakt nuk përbën asnjë problem dhe e emëron atë në krye të sektorit më të ri të sistemit të drejtësisë.
Kështu, në kohën kur po i vjen fundi procesit gjyqësor pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda për rrëmbimin e Ziso Kristopulit, Avdyl Loshajt dhe zhdukjen e biznesmenit kosovar Remzi Hoxha, ministri Enkelejd Alibeaj e emëron të pandehurin e këtij procesi, Arben Sefgjini, në krye të zyrës së Shërbimit të Provës për të Dënuarit Alternativë, sektor ky i krijuar vetëm pak muaj më parë dhe që do të jetë në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, duke mbikëqyrur e mbështetur zbatimin e dënimeve alternative me qëllim mbrojtjen e interesave publike, parandalimin e kryerjes së veprave penale dhe kapërcimin e vështirësive për riintegrimin e një të dënuari në shoqëri.
Ky lajm konfirmohet nga vetë Alibeaj, i cili pranoi se në krye të kësaj zyre kishte emëruar ish-kreun e SHIK-ut, që, nëse deklarohet fajtor, rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.
"Zoti Arben Sefgjini me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë është emëruar drejtor i Shërbimit të Provës, sektor ky në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Me rëndësi është funksionimi i një organizmi kaq të lartë",- u shpreh Alibeaj.
Emërimi i Sefgjinit në krye të këtij sektori vjen në një kohë kur para togave të zeza po dëgjohen dëshmitë e fundit të këtij procesi, ku shumica e dëshmitarëve dhe vetë i pandehuri Avni Koldashi kanë deklaruar se ka qenë Sefgjini personi që ka urdhëruar rrëmbimin e Remzi Hoxhës, të cilin e ka marrë në dorëzim në dalje të kryeqytetit 25 tetorin e vitit 1995.
Ndërkohë, ky emërim bie ndesh edhe me dispozitën e përgjithshme të rregullores "Për Organizimin dhe Funksionimin e Shërbimit të Provës, si dhe Standardet dhe Procedurat e mbikëqyrjes së ekzekutimit të dënimeve alternative", mbi të cilën do të funksionojë ky sektor.
Sipas nenit 13 të pikës "d" dhe "dh" të kësaj dispozite, punonjësit e këtij sektori duhet të plotësojnë disa kushte, mes të cilave atë të "gëzimit të një figure të pastër morale" dhe "të mos jenë të dënuar për kryerjen e një vepre penale me vendim gjyqësor të formës së prerë".
Në këto dy pika, ish-SHIK-asi Sefgjini nuk mund të jetë i pastër, pasi mbi të rëndon një akuzë e rëndë e ngritur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe për të cilën po gjykohet. Ndërkaq, në lidhje me fillimin e punës së kësaj zyre, ministri Alibeaj u shpreh se gjithçka është gati për të filluar.
Ndërkohë, sipas zyrtarëve të Drejtësisë, sektori i "Shërbimit të Provës", do të përpunojë të gjitha kërkesat e të dënuarve që luten të lënë qelitë, përballë një dënimi tjetër alternativ, sikurse është liria me kusht.
Por, përkundër çfarë theksoi ministri Alibeaj, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Gazmend Dibra, pohoi se është bërë gati skeda e rreth 300 të dënuarve që mund të përfitojnë nga ky shërbim në ditët në vazhdim.