E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet në qeverinë “Thaçi”, analistët: Kozmetikë

Paralajmërimet për ndryshime emrash në qeveri kritikohen nga analistët e Prishtinës, të cilët pohojnë se Kosova ka nevojë për ndryshime konceptuale të qeverisjes

Paralajmërimet për ndryshime në qeverinë e Kosovës kanë hasur në kritikat e analistëve. Kosova ka nevojë për ndryshime konceptuale qeverisëse dhe jo për ndërrim të ministrave”,- thonë analistët politikë në Prishtinë. Halil Matoshi thotë se nga praktika e qeverisë “Thaçi 1”, kur ndërrimet dhe lëvizja e posteve të ministrave u cilësuan si riformatizim, por që në fakt nuk sollën ndonjë ndryshim në qeverisje, as riformatizimi në qeverinë aktuale “Thaçi 2”, sipas tij, nuk pritet të sjellë ndonjë kualitet të ri. “Kosovës i duhet ndryshimi konceptual i qeverisjes. Domethënë nuk mund të shkohet tutje me qeverisje kleptokratike, që zyrtarët pasurohen nga zyra dhe se duhet të ketë një koncept të qartë se si të dilet nga kriza shumëdimensionale në të cilën është Kosova, sidomos për sa i përket sundimit të ligjit, si dhe zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës dhe stabilitetit social”, - thotë Matoshi. Ndërkohë, drejtori i Institutit për Politika Zhvillimore, Krenar Gashi thotë se riformatizimi i ri, i paralajmëruar nga qarqet përreth kryeministrit, ka të bëjë vetëm me tërheqjen e vëmendjes nga qeverisja jo e mirë dhe krijimi i përshtypjes së kryeministri po përpiqet që t’i ndryshojë gjërat për të mirë. Koalicioni aktual ka një shumicë të thjeshtë në Kuvend, prandaj çdo ndryshim në qeveri mendohet se do të planifikohet mirë nga kryeministri Hashim Thaçi dhe partneri i tij në koalicion, Behxhet Pacolli. Analisti Matoshi mendon se ndryshimet mund të jenë të natyrës kozmetike, sa për të thënë se po bëhet diçka. “Kryeministri i Kosovës, zoti Thaçi, mendoj se din të kalkulojë mirë dhe ai sigurisht që nuk do t’i prekë njerëzit e fuqishëm ose ata që kanë ndikim në partitë e tyre, sidomos ata të partive të koalicionit dhe se ai do t’i lëvizë njerëzit me më pak ndikim dhe ata që nuk ia cenojnë numrat në Kuvendin e Kosovës”, -vlerëson Matoshi. Në anën tjetër, Krenar Gashi kritikon edhe opozitën në Kuvend, e cila, sipas tij, me asgjë nuk po tregon se është e aftë dhe e interesuar që ta sfidojë qeverinë aktuale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›