Petrela: “Cilësia e ujit është përmirësuar, por po rritet shpërdorimi i tij”
Uji që vjen në banesat e qytetarëve në Tiranë është i pastër. Lajmi bëhet i ditur nga drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve, Ferdinand Petrela, i cili sqaron se cilësia e ujit është përmirësuar, por qytetarët po abuzojnë me shpërndorimin e tij. Sipas Petrelës, muajt e fundit, ankesat e banorëve kanë qenë të pakta përsa i përket ujit si për pastërtinë e tij, po ashtu dhe për furnizimin. Petrela sqaron se cilësia e ujit të pijshëm është rritur, jo vetëm nga monitorimi që është kryer, por janë marrë edhe masat si hedhja e klorit në mënyrë të vazhdueshme. Por problem tjetër në furnizimin me ujë, sipas Petrelës, mbetet ende shpërdorimi i ujit pa kriter. “Edhe pse gjobat janë të larta, deri në 50 mijë lekë për subjektin që përfiton nga rrjeti në mënyrë të paligjshme, sërish shumica e lavazheve, shpërdorojnë ujin”, - shprehet Petrela. Ndërkohë Drejtoria e Higjenës po kryen monitorime të vazhdueshme, për cilësinë ujit dhe ndotjen e tij. Madje, disa ditë më parë drejtuesit e saj deklaruan se vetëm në disa pika në Tiranë ka patur ndotje sporadike të ujit për shkak të punimeve në rrugë që po bën bashkia.
18 Gusht 2008