Vodhën 2000 ha pyll, dy zyrtarë në pranga
Arrestohen për “shpërdorim detyre” drejtori i Shërbimit Pyjor në Përmet, ish-kryetari i Zyrës së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Qarkun Gjirokastër, ndërkohë që për ish-zëvendësin e tij dhe një person që pretendonte për pronësi mbi pyllin, gjykata ka dhënë masën “detyrim paraqitje”.
Burime të Drejtorisë së Policisë në Gjirokastër bënë të ditur se rreth orës 22:30 të së enjtes u arrestuan me akuzën për “shpërdorim detyre” dy persona, drejtori aktual i Shërbimit Pyjor në Përmet dhe ish-kryetari i Zyrës së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Qarkun Gjirokastër, për të cilët gjykata ka dhënë masën e sigurisë “burg pa afat”. Ndërkohë që, sipas këtij informacioni zyrtar, janë nën vëzhgim dhe ruhen nga policia edhe dy persona të tjerë, ish-zëvendësi i Zyrës së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në këtë qark dhe një pretendent për pronësi të një sipërfaqeje pyjore, për të cilët gjykata ka dhënë masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Burime të policisë bënë të ditur se arrestimi dhe marrja nën vëzhgim e tyre është bërë pasi dyshohen si të implikuar në një aferë të madhe abuzimi me pronat në Komunën e çarshovës në Rrethin e Përmetit.
Mihallaq çapollari, 60 vjeç, lindur dhe banues në Përmet, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Shërbimit Pyjor në Përmet dhe 55-vjeçari Përparim Toro, lindur dhe banues në Gjirokastër, ish-kryetar i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Qarkun Gjirokastër gjatë viteve 2005-2006, janë arrestuar me akuzën “shpërdorim detyre”.
Mësohet se i arrestuari Mihallaq çapollari, duke ushtruar detyrën e drejtorit të Shërbimit Pyjor në Përmet, sipas komunikatës zyrtare të policisë, ka lejuar të priten në mënyrë të paligjshme sipërfaqe të mëdha pyjore, rreth 2000 hektarë në Komunën e çarshovës, nga sipërfaqja pyjore e pretenduar në pronësi të shtetasve Vera dhe Zenel çaçi, me origjinë nga çarshova. Në bazë të hipotekimit me dokumente false, sipas policisë, dy të sipërpërmendurit pretendonin se në pjesën e pyllit të shkatërruar për qymyr ata kishin pronat e tyre dhe kanë bërë prerjen e plotë të lëndës drusore, duke e përpunuar dhe kthyer në qymyr druri dhe më pas e kanë eksportuar për në shtetin grek.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur se i arrestuari tjetër, shtetasi Përparim Toro, akuzohet se gjatë periudhës kohore 2005-2006, kur ai ishte në detyrë në pozicionin e kryetarit të Zyrës së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Qarkun Gjirokastër, duke abuzuar me detyrën u ka dhënë në mënyrë të paligjshme shtetasve Vera dhe Zenel çaçi dokumente me të cilat ata kanë përfituar titull dhe certifikatë pronësie për një sipërfaqe prej 2300 hektarësh, nga të cilat vetëm 1400 hektarë u janë dhënë në mënyrë të ligjshme me vendim gjykate, ndërsa pjesa tjetër u është dhënë me dokumente të falsifikuara.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, me vendimin penal Nr.129, ka vendosur masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” për shtetasin Hajdar çafka, ish-anëtar i Zyrës së Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ndërkohë, edhe për shtetasen Vera çaçi, që sipas hetimeve paraprake ka bashkëpunuar dhe ka përfituar nga abuzimet e tre të akuzuarve të mësipërm, nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, me vendim penal nr. 126 është marrë masa e sigurisë “Detyrim paraqitje”.
Burimet e policisë nënvizojnë se veprimet e të akuzuarve për këtë vepër penale janë zbardhur pas një hetimi 6-mujor të bërë nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër në bashkëpunim me Sektorin Kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bazë të denoncimit të bërë nga ana e Komunës çarshovë. Dosja me materialet e hetimeve paraprake është tani në duart e policisë gjyqësore dhe hetuesve të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër në dispozicion të kryerjes së hetimeve të plota.
#