E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makina e vjedhur, në ndjekje penale italiani

Një italian hetohet në Durrës për automjetin e vjedhur. Operacioni "Pranvera 2008" i nisur në muajin mars ka zgjeruar numrin e të hetuarve dhe të makinave luksoze të sekuestruara. Në kuadër të këtij operacioni seksioni i luftës kundër trafiqeve të paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës nisi ditën e djeshme procedimin penal ndaj shtetasit italian, Bruno Sistelli, 55 vjeç. Procedimi penal ndaj italianit u mbështet në verifikimet e dokumentacionit të automjetit në zotërim të këtij shtetasi. Në momentin e kontrollit që u ushtrua ndaj mjetit në lagjen numër 1 të qytetit, pranë shëtitores bregdetare "Taulantia" mjeti po drejtohej nga një tjetër shtetas. Policia bëri bllokimin e automjetit tip "Audi A6" me ngjyrë e zezë me targa italiane CX162RK, pronë e Sistellit. Nga verifikimet e kryera rezultoi se automjeti ishte vjedhur në kryeqytetin italian, Romë në mars të vitit të kaluar. Burimet policore nuk bënë të ditur identitetin e personit që drejtonte mjetin në momentin e bllokimit, po vetëm inicialet e tij N.D.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›