E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flinte pranë oxhakut, digjet rëndë i dehuri

Flinte pranë oxhakut në gjendje të dehur, ndërkohë që është përfshirë nga flakët e zjarrit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në një fshat të largët të rrethit të Beratit. Qemal Manaj ka përfunduar në spital me djegie të rënda në trup. Burime të Komisariatit të Policisë në Berat bëjnë me dije se mbrëmjen e së premtes është marrë informacioni për djegien e 67-vjeçarit në banesën e tij, në fshatin Panarit të Komunës Tërpan. Menjëherë uniformat blu kanë udhëtuar drejt fshatit të largët nga ku kanë bërë të mundur transportimin e 67-vjeçarit për në spital. Nga hetimet e para është mësuar se burri ishte djegur duke fjetur në gjendje të dehur pranë oxhakut. Po këto burime pohojnë se Manaj jetonte vetëm me bashkëshorten, pasi fëmijët e tyre ishin larguar nga fshati ashtu si dhe banorët e tjerë. Sipas të afërmve të 67-vjeçarit, ai kishte konsumuar sasi të mëdha pijesh alkoolike dhe ishte shtrirë pranë oxhakut në gjendje të pavetëdijshme. Gjatë natës ai është afruar shumë pranë zjarrit dhe nga nxehtësia i kanë marrë flakë rrobat e trupit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›