E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimi i Rregullores, Këshilli pa rezultat

04/06/2010 Deputetët e PD-së e PS-së debate për procedurat e shqyrtimit

Mazhoranca kërkon votim të hapur për dekretet e Topit

Pas tri orësh debate Këshilli i Rregullores as në mbledhjen e djeshme nuk ka hyrë në diskutimin e amendamenteve të propozuara nga deputetët e mazhorancës për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Ky këshill, me përfaqësimin e 5 deputetëve të mazhorancës dhe 5 të opozitës, debatoi dje mbi procedurat e shqyrtimit të këtyre propozimeve. Ndërsa mazhoranca këmbënguli në domosdoshmërinë e këtyre ndryshimeve. “Nuk hyjmë në thelbin e problemit për aq kohë sa nuk po jepet koha e duhur që ky propozim të marr rrugë. Para se të hyhet në thelbin e propozimeve konkrete për Rregulloren, ato do të kalojnë një procedurë normale të shqyrtimit”, - tha anëtari i Këshillit Damian Gjiknuri, deputet i PS-së. Ndërsa deputeti i PD-së Viktor Gumi gjatë një prononcimi për mediet tha se ndryshimet në rregulloren e Parlamentit do të rritin transparencën në përzgjedhjen e dekreteve. “Diskutime të tilla nuk mund të vijojnë pa fund. I duhet dhënë fund taktikës së bojkotit dhe bllokimit të punës së Parlamentit. Është një procedurë që ka filluar të vendoset tashmë në këtë parlament, është një procedurë e nevojshme dhe e domosdoshme për t’iu përgjigjur realitetit dhe zhvillimeve më të fundit që ka pasur Parlamenti shqiptar”, - deklaroi Gumi. Katër deputetë të Partisë Demokratike i kanë propozuar Kuvendit ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, të cilat parashikojnë votim të hapur për dekretet e Presidentit të Republikës dhe shtimin me pesë javë të kohës që Komisioni i Ligjeve duhet të ketë në dispozicion për shqyrtimin e tyre.

Reagimi i Idrizit

Deputeti PDU-së Shpëtim Idrizi gjatë një prononcimi për mediet ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni që e kishin caktuar si anëtar të Këshillit të Rregullores. Fillimisht Kryetarja vendosi Idrizin si deputet në përbërjen e grupit opozitar, por ankesa e socialistëve bëri që ajo ta zëvendësonte me Gramoz Ruçin. Varianti zyrtar i zëvendësimit ishte mosmarrja pjesë e deputetit Idrizi në mbledhjet e Këshillit për Rregulloren të datave 1 dhe 2 qershor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›