Hidhet shorti për dosjen e masakrës në Qafë Gjashtë
Gjyqtari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Fran Prendi, do të shqyrtojë çështjen në ngarkim të të akuzuarve si autorë të vrasjes me armë zjarri të një punonjësi policie dhe plagosjen e disa të tjerëve në vitin 1997, në Qafë Gjashtë të Sarandës. Lajmi u bë i ditur dje nga burime të kësaj Gjykate, sipas së cilës ka qenë shorti i hedhur dje që ka përcaktuar gjyqtarin Prendi si drejtues të procesit, që pritet të nisë së shpejti për ngjarjen e rëndë të ndodhur 11 vjet më parë në Sarandë. Me cilësinë e të pandehurit, si autorë të ngjarjes janë marrë nga Prokuroria shtetasit Vladimir Sinani, Nestor Sinani, Edmond Sejko, Leonard Theodhori, Alqi Paguni. Në mungesë do të procedohet shtetasi Eduart Çipa, për të cilin janë vënë në kërkim autoritetet policore. Personat e lartpërmendur akuzohen për vrasjen e punonjësit të policisë Gjergj Mehmeti si dhe për plagosjen e disa të tjerëve në vitin 1997, në Qafë Gjashtë. Për dokumentimin ligjor të çështjes, Prokuroria do të thërrasë në Gjykatë për të dëshmuar 67 persona, mes të cilëve ish-drejtues të strukturave të rendit të asaj kohe.
18 Nentor 2008