Kërkesat për falje që do të kenë prioritet nga Presidenti
Laureta Rryçi
Tiranë – Të dënuarit minorenë, ata që janë me moshë mbi 60 vjeç, si dhe gratë e dënuara, kanë më shumë mundësi të përfitojnë falje jo vetëm në festën e 28 Nëntorit, por edhe në ato të fundvitit. Burime pranë Presidencës pohuan dje për gazetën “Albania” se ky proces sapo ka nisur duke qenë se kanë mbërritur edhe kërkesat e para të të dënuarve për të përfituar nga kjo kompetencë ligjore që e ka vetëm Presidenti i Republikës. Ndërkaq, janë përcaktuar edhe kategoritë që nuk do të përfshihen nga kjo nismë ligjore. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm jo vetëm formularin që duhen të plotësojnë të dënuarit për të qenë pjesë e kësaj përzgjedhjeje, por edhe dokumentet që duhet të dorëzojnë në Presidencë.
Përfituesit
Të dënuarit që janë në moshë minorene janë kategoria që pritet të përfitojnë më shumë nga falja me rastin e festave. Ata kryesisht vuajnë dënimin në Burgun e Vaqarrit dhe kanë kryer vepra të ndryshme penale. Po kështu duket se do të fitojnë edhe gratë e dënuara. Do të ketë më shumë midis tyre që mund të fitojnë lirinë apo ndonjë vit burg më pak, falë firmës së Presidentit Bamir Topi. Të njëjtin fat pritet të kenë dhe të dënuarit që janë më shumë se 60 vjeç. Përgjithësisht këta të dënuar gjenden në Burgun e Krujës dhe të Rrogozhinës.
Kush nuk përfiton
Ata që kanë kryer krime të rënda nuk kanë dhe “mëshirën” e Presidentit. Jo vetëm se i kategorizon kreu i shtetit, por edhe ligji për faljen i përjashton këta të dënuar. Ata që kanë kryer veprat penale të vrasjes, trafikimit të lëndëve narkotike, shfrytëzimin e prostitucionit apo edhe të disa vepra të tjera të rënda, nuk do të përzgjidhen në listën e përfituesve.
Të dënuarit
Të burgosurit që pritet të përfitojnë nga falja janë pothuajse nga të gjitha burgjet e vendit. Kryesisht atyre u kanë mbetur edhe pak vite për të vuajtur dënimin e plotë të dhënë nga gjykata. Specialistët përzgjedhin vetëm ato persona që nuk kanë kryer vepra të rënda penale dhe që kanë pasur sjellje të mirë në burg. Në listë, ashtu si herët e tjera, vihet re se numri i të dënuarve që mund të përfitojnë përsëri është shumë i vogël. Për momentin, lista është shpërndarë në të gjitha burgjet. Drejtuesit e këtyre burgjeve kanë marrë urdhër që të grumbullojnë materialin e duhur për gjithsecilin. Më pas do të ndikojë edhe ky material për të vendosur nëse këta emra do të qëndrojnë në listën e faljes apo jo. Ndërkaq mësohet se burgjet ende nuk i kanë dorëzuar të gjitha materialet. Në momentin që do të mbarojë kjo procedurë, atëherë i mbeten dhe pak ditë specialistëve të Presidencës për t’i dhënë këshillat e fundit Presidentit se kush duhet të qëndrojë në listë.
Box
Kur fal Presidenti
Së pari, Presidenti mbështetet në zbatimin e qëllimeve të dënimit penal. Pra, dënimi penal ka dy qëllime: i pari, represioni i shoqërisë për autorin që ka kryer veprën penale, pra shlyerja e fajit nga i dënuari dhe, i dyti, mundësia e rehabilitimit të të dënuarit për t’iu rikthyer jetës normale. Në vlerësimin e kërkesave apo propozimeve për falje, Presidenti gjykon nëse i dënuari e ka shlyer fajin për të cilin shoqëria e ka dënuar, si dhe nëse i dënuari e ka arritur rehabilitimin e tij dhe është në gjendje të rikthehet në shoqëri me vlerat që ajo kërkon. Ky vlerësim bëhet në bazë të dokumenteve dhe informacioneve që vijnë edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, që së bashku me dokumentet që kërkon ligji sjellin edhe një dinamikë të vuajtjes së dënimit, pra se sa është dënimi dhe sa mbetet për t’u vuajtur, si dhe një karakteristikë për sjelljen e të dënuarit në institucionin e riedukimit. Kjo karakteristikë sqaron nëse i dënuari ka sjellje korrekte në burg, nëse ndaj tij është marrë ndonjë masë disiplinore, kontaktet dhe lidhjet e tij me familjet, angazhimi në punët e përgjithshme në burg, pra elemente që tregojnë nëse i dënuari e ka ndjerë fajin që ka kryer dhe është drejt rehabilitimit të tij social. Në vlerësimin e kërkesave për falje, Presidenti merr gjithashtu në konsideratë gjendjen shëndetësore të të dënuarit, gjendjen familjare të të dënuarit, etj. Presidenti nuk ka kufizime në kohë për ushtrimin e të drejtës së faljes. Pra kur Presidenti gjykon se mund ta ushtrojë këtë të drejtë, ai mund ta bëjë këtë. Duhet theksuar se faljet nuk janë fushata masive, por për shkak të një tradite. Kjo e drejtë është ushtruar nga Presidenti dy herë në vit. Gjatë Presidencës së Moisiut janë falur 145 të dënuar. Ndërsa Presidenti Topi ka ushtruar kompetencën e tij vetëm një herë, gjatë festës së gruas, më 8 Mars. Faljet kanë përfshirë si faljen e tërë dënimit të mbetur, ashtu edhe një pjese të dënimit. Kjo bëhet për t’i treguar të dënuarve dhe të interesuarve të tjerë se autoritetet nuk i kanë harruar, por e kanë rehabilitimin e të dënuarve në vëzhgim dhe e vlerësojnë atëherë kur duhet.
Box
Ndryshimi mes faljes dhe amnistisë
Falja dhe amnistia ndryshojnë në disa elementë. Së pari, falja është prerogativë dhe autoritet i Presidentit të Republikës, ndërsa amnistia ushtrohet nga Kuvendi dhe bëhet me një ligj të veçantë. Së dyti, falja zbatohet mbi të dënuarit. Pra, mbi individët që kanë kryer veprën penale, në bazë të kërkesave të tyre, ndërsa amnistia parashikon faljen e veprave penale dhe jo të individëve. Gjithashtu, falja ushtrohet vetëm pasi individi është dënuar me vendim të formës së prerë, ndërsa amnistia bëhet në çdo fazë, pra edhe gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor dhe pasi vendimet kanë marrë formë të prerë. Së fundi, për efekt të gjendjes gjyqësore, personi i falur quhet i dënuar, ndërsa personi i amnistuar e ka kartelën gjyqësore të bardhë, domethënë quhet i padënuar.
Formulari që duhet dorëzuar i plotësuar në Presidencë
A e dini se...
Në bazë të ligjit “Për faljen”, Presidenti i Republikës ka të drejtë të falë tërësisht ose pjesërisht dënimin ose të falë detyrime të dhëna nga gjykata.
Kush ka të drejtë të bëjë propozim për falje?
Të drejtën për të bërë propozim për falje me iniciativë ose me kërkesën e të dënuarit apo të pjesëtarëve të familjes së tij e ka:
1. Këshilli i Ministrave
2. Ministritë dhe institucionet e tjera qendrore
3. Pushteti lokal (bashkitë, komunat)
4. Organet qendrore të organizatave joqeveritare
5. Gjykatat, prokuroritë, organet e rendit nëpërmjet organeve të tyre qendrore.
Kujt duhet t’i drejtohet kërkesa?
Kërkesa i drejtohet Presidentit të Republikës
Çfarë dokumentesh duhet të shoqërojnë propozimin?
1. Kërkesa me shkrim e të dënuarit apo e pjesëtarëve të familjes të tij.
2. Vendimi i Gjykatës së Formës së Prerë (i plotë dhe jo i shkurtuar).
3. Vërtetimi për masën e shlyerjes së detyrimit.
4. Kërkesa me shkrim e organit ose organizatës që bën propozimin.
5. Certifikatë lindjeje.
6. Certifikatë familjare.
7. Dëshmi penaliteti.
Çfarë parashikon ligji “Për faljen”, datë 27.03.1981
Neni 1
Presidenti i Republikës mund të falë tërësisht e pjesërisht ose t’i zëvendësojë me dënime më të lehta të gjitha llojet e dënimeve penale dhe detyrimet që janë dhënë me vendim të gjykatës.
Falja tërësisht e dënimit kryesor sjell dhe faljen e dënimit me humbjen e së drejtës së zgjedhjeve, përveç kur në aktin e faljes përmendet se ky dënim nuk falet.
Neni 2
Kanë të drejtë t’i bëjnë Presidentit të Republikës propozim për falje me iniciativën e tyre ose me kërkesën e të dënuarit e të pjesëtarëve të familjes së tij, Këshilli i Ministrave, ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, organet qendrore të organizatave shoqërore, organet e pushtetit lokal ose organet e rendit, gjykatat, prokuroritë, organet e rendit dhe organizatat shoqërore.
Neni 3
Propozimet për falje dënimi që bëhen nga Këshilli i Ministrave, nga ministritë e institucionet e tjera qendrore dhe organe qendrore të organizatave shoqërore, i dërgohen drejtpërdrejt Presidentit të Republikës. Propozimet për falje, që bëhen nga gjykatat, prokuroritë e organet e punëve të brendshme, i dërgohen Presidencës, organit të tyre qendror. Propozimet që bëhen nga organet e tjera dhe organizatat shoqërore i dërgohen Presidentit të Republikës nëpërmjet komiteteve ekzekutive të këshillave popullore të rretheve, të cilët japin edhe mendimin e tyre.
Neni 4
Propozimi për falje që i paraqitet Presidentit të Republikës duhet të përmbajë kërkesën me shkrim të të dënuarit, përmbledhjen e vendimit të gjykatës, vërtetimin që bën propozimin për falje
dhe mendimin e komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit për propozimet e paragrafit të dytë të Nenit 3.
Neni 5
Për dënimet me vdekje, përveç organeve dhe organizatave të përmendura në Nenin 2, ka të drejtë të paraqesë kërkesë për falje edhe vetë i dënuari ose familjarët e tij.
Vendimi i dënimit me vdekje, pavarësisht nëse është bërë ose jo kërkesë për falje nga i dënuari, nuk mund të ekzekutohet pa u shqyrtuar më parë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.
Prioritet kanë
1. Minorenet
2. Femrat
3. Ata që janë mbi moshën 60 vjeç
4. Të sëmurët kronikë
5. Ata që kanë edhe pak vite burg për të vuajtur
Përjashtohen
1. Të dënuarit për vrasje
2. Për shfrytëzim prostitucioni
3. Trafikim të lëndëve narkotike
4. Ata që janë dënuar nga krimet e rënda
13
burgje janë aktualisht në të gjithë vendin. Katër prej tyre ndodhen në kryeqytet dhe pjesa tjetër ndodhen nëpër qytetet e tjera të vendit. Shumë prej tyre e ushtrojnë këtë funksion prej shumë vitesh. Në vendin tonë kemi tre lloje burgjesh për nga siguria.
4800
të burgosur
janë aktualisht në të gjitha burgjet dhe ambientet e paraburgimit në vendin tonë. Sipas statistikave, kjo shifër sa vjen dhe rritet duke shënuar kështu dhe një numër të lartë të kriminalitetit në vend.
3
burgje
janë të sigurisë së lartë në të gjithë vendin. Ato ndodhen në Burrel, Peqin dhe Tepelenë. Në ta përgjithësisht vuajnë dënimin të dënuarit VIP dhe ata që janë dënuar nga 15 vite burg deri në burgim të përjetshëm.
18 Nentor 2008