E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimi katastrofal

Edicioni i sivjetmë i La Ligës ka filluar më herët se zakonisht. Por, ndryshimi është shndërruar në ‘bumerang’. Në Nou Camp ishin 40 mijë ulëse të zbrazëta në ndeshjen mes Barcelonës dhe Real Sociedadit. Pati edhe më keq, 11 mijë shikues përcollën nga stadiumi duelin Zaragoza-Valladolid. Përveç kësaj, ka ankesa të shumta për oraret e takimeve, sidomos për ato që fillojnë në orën 23 të mbrëmjes.

Sezoni i ri futbollistik në Spanjë zakonisht fillon në javën e fundit të gushtit ose fundjavën e parë të shtatorit. E kuptueshme. Shumica e qyteteve spanjolle mbyllen në gusht, njësoj sikurse bizneset dhe njerëzit nisen për në bregdete ose ajër të pastër në bjeshkë. Futbollistët më të mirë, të cilët kalojnë çdo tre prej katër verave duke u paraqitur në Kampionat botëror, Evropian ose Kupë të Konfederatave, po ashtu e mirëpresin pushimin.

Por, këtë vit është më ndryshe. Sezoni i ri në La Liga u kthye mbrapa për t’iu akomoduar kalendarit të ngjeshur futbollistik. Ndryshimi doli të jetë katastrofal. Barcelona pati vetëm 57,721 shikues në ndeshjen e saj të parë kundër Real Sociedadit, shikueshmëria më e ulët në katër vitet e fundit, 20 mijë më pak se dueli i parë i edicionit të kaluar. Me fjalë tjera ishin 41 mijë ulëse të lira.

Edhe takimi i parë i Real Madridit nuk kishte kapacitet të plotë, por ulëset e zbrazëta ishin më të theksuara në disa prej dueleve tjera të xhiros së parë. Vetëm 20 mijë shikues përcollën ndeshjen në shtëpinë e Sevillas kundër Getafes. Temperatura në stadium ishte 37 gradë celsius. Në La Coruna, tifozët e Deportivos shfaqën një transparent me një porosi për LFP-në: “Ne urrejmë futbollin modern, urrejmë televizionin”.

Në Rayo Vallecano, klub me përkrahës të klasës punëtore nga krahu i majtë, futbollistët hynë në fushë, derisa në prapavijë qëndronte një transparent gjigant me një mesazh kritikues për avokatin që negocioi kontratën e shitjes së të drejtave televizive për 30 klubet nga divizioni i parë dhe i dytë spanjoll. Shikueshmëria më e ulët nga xhiroja e parë ishte 11 mijë në duelin Zaragoza-Valladolid.

Kishte edhe arsye tjera për këtë: edhe pse shumica e klubeve nga liga e parë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre, ndeshjet tani fillojnë në nëntë orare të ndryshme gjatë fundjavës duke filluar nga ora 18 e pasdites të shtunën deri te ora 23 të hënën mbrëma. Po, 23 e lexuat mirë? Zaragoza dhe Valladolid luajtën në këtë orar, njësoj sikurse Mallorca-Espanyol që u përcoll nga 11,703 shikues. Sa për krahasim, ndeshja e ligës së tretë angleze mes Sheffield United dhe Portsmouth u përcoll nga numër më i madh shikuesish.

Shumica e futbollistëve kanë refuzuar të flasin kundër ligës, por përforcimi i ri i Valencias, mbrojtësi i djathtë portugez Joao Pereira tha: “Në Portugali konsiderohet vonë nëse një ndeshje fillon në orën 21:15. 23 është shumë keq për tifozët. Ndeshja përfundon në kohë kur njerëzit duhet të jenë në gjumë. Si mundet një fëmijë i moshës 10 vjeç të shkojë për të shikuar një ndeshje në atë kohë? Nuk është mirë për futbollin”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›