E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimi në drejtshkrim, marrëzi

Në demokraci nuk mund të realizosh unifikime gjuhësh. Edhe gjuhët e mëdha si anglishtja, frëngjishtja, italishtja janë unifikuar në kohën e diktaturave dhe të mbretërve, sepse në demokraci ka liri dhe askush nuk mund të ndalojë askënd të flasë në dialekt, por për të shkruar duhet të shkruajë në gjuhën unike. Nga Express më 17 dhjetor 2010 në ora 10:26

“Ndryshimi i standardit është një marrëzi”, kështu shprehet shkrimtari Dritëro Agolli, ndërsa në Durrës është duke u zhvilluar konferenca “Shqipja në etapën e sotme: Politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”. Kohët e fundit janë hedhur lloj-lloj idesh për standardin. Duke e konsideruar atë si shumë të politizuar, ka pasur edhe nga ata që janë shprehur për shndërrimin tërësor të tij, duke vënë në bazë të gjuhës standarde, gegërishten. Kjo për Dritëro Agollin është tërësisht e papranueshme, por nuk është kundër pasurimit të gjuhës me fjalë të bukura dhe të nevojshme nga dialektet. Dritëro Agolli është një nga dyzet intelektualët që kanë firmosur një peticion kundër ndryshimit të standardit të shqipes.

Në një konferencë që po mbahet për shqipen standarde është ngritur domosdoshmëria e rishikimit të saj, më së shumti të pasurimit nga dialektet, si e shihni ju këtë ndërmarrje?
Gjatë unifikimit të gjuhës në Konferencën e drejtshkrimit të ’72-shit nuk u vu ndonjë kufizim për pasurimin e gjuhës nga dialektet. Qëllimi ishte që të ishte unike në drejtshkrim. Nuk mund të kthehet nga ky drejtshkrim në atë gegë, apo toskë. U tha se zyrtarisht duhet të ketë një drejtshkrim dhe aso kohe u bënë disa ndryshime. Dhe kjo ishte një çështje që kishte nisur shumë kohë më parë. Ishte Faik Konica, një nga njerëzit më të mençur, i cili shtroi problemin si të kemi një gjuhë letrare dhe jo të flitet në dialekte, apo nëndialekte.
Por nuk flitet për ndryshime radikale, por pasurim të gjuhës...
Sigurisht që gjuha duhet pasuruar me fjalë, pasi kemi shumë fjalë të bukura nga dialektet, të cilat nuk të ndalon kush t’i përdorësh, por drejtshkrimi nuk duhet trazuar. Ai është ai që është. Nuk duhet të ndryshojë. Askush nuk ndalon askënd që ta pasurojë, madje ai është pasuruar vetvetiu, për shkak të fjalëve që hyjë në leksik bashkë me konceptet, apo teknologjinë. Për mua është një marrëzi të tentosh të bësh ndryshime në drejtshkrim, të ndryshosh bazat e tij e të nisësh të shkruash tërësisht në dialektin gegë, apo toskë. Ky është variant që u diskutua nga njerëz të shquar. Madje, e nisi e para Kosova dhe u mblodhën njerëz të shquar, si Eqrem Çabej, Lasgush Pradeci, Shaban Demiraj, etj. dhe vendosën këtë varinat.

Nuk mendoni se në kushtet e reja që ndodhet Shqipëria ka nevojë për një rishikim të gjuhës?
Diskutimi mbi gjuhën nuk është një lajm i ri. Dhe kjo është normale në ndryshimin e sistemeve. Kjo ka ndodhur edhe në vende të tjera. Po ju sjell si shembull Etiopinë. Pas rënies së perandorit Selasje, i cili fliste në dialektin ahmarik, u mblodhën gjuhëtarët e shkencëtarët, ngritën edhe komisione për të ndryshuar të folmen, meqë atë e pat folur perandori, por nuk ia arritën dot dhe mbeti po në dialektin ahmerik. Gjuha nuk është superstrukturë, nuk është ekonomi që të ndryshojë. Gjuha mbetet ashtu siç është vendosur.

Standardi “akuzohet” si shumë politik, ju si mendoni?
Në demokraci nuk mund të realizosh unifikime gjuhësh. Edhe gjuhët e mëdha si anglishtja, frëngjishtja, italishtja janë unifikuar në kohën e diktaturave dhe të mbretërve, sepse në demokraci ka liri dhe askush nuk mund të ndalojë askënd të flasë në dialekt, por për të shkruar duhet të shkruajë në gjuhën unike. Prandaj, unë nuk jam dakord që të ndryshojë gjuha, siç ka qenë në kohën e Ahmet Zogut, meqë u bë në kohën e socializmit.
Kur në ’92-shin u diskutua nga Instituti i Gjuhësisë ndryshimi i standardit, një gjuhëtar nga Shkodra tha: Në rregull, po shkruajmë gegërisht, që librat tanë të mos e kalojnë urën e Bunës. Pra ndryshimet radikale janë absurde.

A është gegërishtja e “persekutuar” nga ky standard?
Nuk është e vërtetë që gjuha standarde është vetëm toskërisht, sepse në bazë të saj janë 8 elementë gegërisht dhe 12 toskërisht. Ne nuk themi rërishte, por ranishte, nuk themi mësonjës, por mësues, etj. Pra, ja ku i kemi elementët e gegërishtes.

(Panorama)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›