E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një galeri ikonografike

Në Bibliotekën Kombëtare Universitare të Kosovës u bë hapja solemne e ekspozitës së fotografive të Gonxhe Bojaxhiu- Nëna Terezë Nga Express më 17 dhjetor 2010 në ora 10:25

Dje, më 16 dhjetor, në Bibliotekën Kombëtare Universitare të Kosovës u bë hapja solemne e ekspozitës së fotografive të Gonxhe Bojaxhiu- Nënës Terezë, në të cilën morën pjesë përfaqësuesit e jetës kulturore, artistike e shtetërore të Kosovës. Me këtë rast, Shefki Ukaj, Koordinator i Këshillit Organizativ për shënimin e 100 – vjetorit të lindjes së Nënës Terezë, theksoi se në këtë ekspozitë, për herëë të parë, në këtë formë, po paraqiten 61 fotografi të Nënës Terezë, prej fëmijërisë deri në misionin e saj bëmirës në Kalkutë e shumë vende të tjera të botës.

“Ta fiksosh dhe ta paraqesësh figurën e Nënë Terezës – Gonxhe Bojaxhiut përmes fotografive, do të thotë t’i japësh njerëzve mundësinë që t’i njohin disa nga çastet e jetës dhe të veprës së saj të thjeshtë e, njëkohësisht, madhore, gjatë të cilës ajo, me veprën, bamirësinë, humanizmin dhe dashurinë e saj engjëllore, i dhuroi njerëzimit modelin më të përsosur të dashurisë së njeriut për njeriun”, ka thënë z. Ukaj.

Ai ka nënvizuar se këto çaste të veçanta i ngjajnë një galerie ikonografike, në të cilën, rastësisht apo qëllimisht, është përjetësuar dashuria, dhembja, mëshira, përkushtimi dhe besimi i madh i një shenjtëreshe, e cila, përmes veprave të saj të mëdha, ashtu siç ka vlerësuar Presidenti Historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, është bërë themeluese e filozofisë humanitare, që aq shumë i duhet njerëzimit.

Koordinatori i Këshillit Organizativ për shënimin e 100-vjetorit të lindjes së Nënës Terezë, gjithashtu ka theksuar se kjo ekspozitë e bashkë me të edhe botimi i katalogut, përfaqësojnë vetëm një gjest simbolik në këtë përvjetor të rëndësishëm, kur ne qytetarët dhe bashkëkombasit e shtetit e vendit të origjinës së saj, bashkë me kombet e tjera të botës, përulemi me respekt e pietet të jashtëzakonshëm, përballë kujtimit, jetës dhe veprës madhore të kësaj shenjtëreshe, e cila, jo vetëm me gjakun dhe përkatësinë e saj kombëtare, por shumë më tepër me veprën e saj grandioze, e rriti dhe e përjetësoi namin, emrin, nderin dhe dinjitetin e kombit shqiptar në përmasa botërore.

Për rëndësinë e kësaj ekspozite, kushtuar Nënës Terezë, ka folur edhe Dom Lush Gjergji, biografi më i fuqishëm i Gonxhe Bojaxhiut- Nënës Terezë. Kjo ekspozitë mbahet nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›