Një vrasje misterioze në Prishtinë
E bazuar në një ngjarje historike, mbi vrasjen e dyfishtë nga ana e Lizzie Borden të babait dhe njerkës, shfaqja “Lidhje gjaku” e autores kanadeze Sharon Pollock, në regji të Fadil Hysajt, sjell para publikut kosovar një mister të krimit që ka ndodhur para një shekulli e që kurrë nuk ka arritur të zgjidhet, pasi që Lizzie qe liruar nga gjyqi si e pafajshme, por pafajësia e saj vazhdimisht është diskutuar nga publiku.
Premiera e kësaj shfaqjeje, e cila do të jepet sonte (e premte), e ka sjellë në Prishtinë edhe vet autoren kanadeze Sharon Pollock.
Në një konferencë për media, Pollock u shpreh se një prej gjërave interesante të inskenimit të dramave është të shohësh mënyrën se si njerëz të tjerë, kultura të tjera e interpretojnë dhe e prezantojnë mënyrën kreative të interpretimit. “Kështu që jam shumë e entuziazmuar me atë që do të shoh nesër. Kisha dashur t’i gjej fjalët në këto momente për t’i falënderuar aktorët, regjisorin e të tjerët,” u shpreh ajo.
Ndërkaq, regjisori i shfaqjes, Fadil Hysaj, tha me këtë rast se drama është në kuadër të familjes, relacionet babë-vajzë-njerkë, por megjithatë, sipas tij, kjo nuk është storia.
“Storia kryesore mendoj se shihet brenda fabulës që në shikim të parë duket si një triler psikologjik, por që është e bazuar në një ngjarje që ka ndodhur në vitin 1892 në Massachusetts të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të cilën janë bërë edhe shumë filma, janë bërë shumë shkrime, është ngjarje që ka një shekull që ka qenë e pranishme në preokupimet e njerëzve sepse asnjëherë nuk është zbuluar kush e ka bërë krimin, sepse është vrarë babai, është vrarë gruaja e tij brenda familjes dhe vajza e cila thuhej që e ka bërë këtë krim, në mungesë të fakteve është shpallur e pafajshme,” tha Hysaj.
Ai shtoi se ekziston aty një moment shumë i rëndësishëm që autorja e ka nxjerrë në plan të parë e që sipas ngjarjes reale ajo ka rritë mace, i ka dashtë macet, ndërsa sipas autores ajo i ka dashtë shumë pëllumbat, e kur babai i saj ia vret pëllumbat, sipas Hysajt, këtu fillon kriza në familje dhe pëllumbat bëhen shkak psikologjik për një pasojë tragjike që ndodh në fund.
Ai tregoi se në momentin kur e ka lexuar këtë tekst e ka thirr Jeton Nezirajn dhe menjëherë i ka thënë se kjo është shfaqja të cilën do ta kishte punuar me dëshirë, sepse, sipas tij, është ndër tekstet e rralla që flet për një temë që është shumë rrallë e trajtuar në dramaturgjinë botërore dhe në atë shqiptare sepse flet për të ashtuquajturin sovranitet individual.
Në këtë shfaqje luajnë Irena Cahani, Aurita Agushi, Hazir Myftari, Lumnije Sopi, Lirak Çelaj dhe Shpëtim Kastrati. Skenografinë e shfaqjes e ka bërë skenografja austriake Sylvia Weber, kostumografinë Vesa Kraja, kurse muzikën e ka kompozuar Valton Beqiri. Asistent i regjisë është Kastriot Saqipi. Reprizat e para të kësaj shfaqjeje do të jenë me 18, 28 dhe 29 dhjetor.
Diçka tjetër që e veçon këtë shfaqje është që të hyrat nga shitja e biletave për premierën e saj do të kenë destinim humanitar. Mjetet e grumbulluara financiare do t`i dhurohen një aktoreje e cila po jeton ditë të vështira të pleqërisë së saj të thellë.
“Ne kështu dëshirojmë të solidarizohemi me tërë atë brez artistësh të teatrit të cilët, mbas mbi dyzetë vitesh punë në skenë, jetojnë me vetëm 40 euro pension. Premiera do të kushtojë pesë euro dhe ne presim që në këtë premierë të grumbullojmë rreth 1500 euro,” tha Jeton Neziraj, drejtor artistik në Teatrin Kombëtar.
Se cila është kjo aktore, Neziraj nuk e bëri të ditur pasi që konsideron se kjo përben lajm.
“Është vullnet i teatrit për një aktore e cila ka kontribuar në këtë teatër dhe në teatro tjera të Kosovës,” shtoi ai.
“Lidhje Gjaku” u vu në skenë në vitin 1980 (ndonëse një version i mëparshëm i dramës, i titulluar “Emrin ma thonë Lisabeth” ishte vënë në skenë më 1976) shënon një zhvendosje të vëmendjes së dramaturges tek individi në kuadrin e familjes dhe lidhjeve shoqërore. Për këtë dramë Sharonit iu dha Çmimi Letrar i Guvernatorit të Përgjithshëm që është çmimi më i lartë letrar kanadez për një vepër artistike. I njëjti çmim iu dha Sharonit edhe për veprën e saj “Doc” e cila u vu në skenë në vitin 1984. Kjo dramë e merr temën nga vetë jeta e dramaturges.
Sharon Polloku është dramaturgia më e njohur kanadeze. Ajo nuk shkruan histori dashurie, aventura seksuale, ose drama për familje të lumtura. Për vetë natyrën e saj, atë e tërheqin më shumë çështjet dhe idetë e rëndësishme. Ajo ka një karrierë të gjatë e të ndritur në teatër dhe dramat e saj të shumëllojshme janë vënë në skenë jo vetëm në Kanada, por edhe në shumë vende të tjera të botës. Duke punuar në skenë dhe pas kuintave, ne biletari ose si drejtoreshë teatri, si aktore apo si dramaturge, si mësuese apo si udhëheqëse e teatrove të vogla apo të mëdha, Sharon Polloku mbetet një pjesëmarrëse aktive, polemizuese dhe pjellore e skenës teatrore kanadeze.