Sabire Hoxhaj: Mbështetja e banorëve, inspirim për ambiciet e mia politike
Kryetarja e komunës së Fratarit të rrethit Mallakastër, Sabire Hoxhaj, përfaqësuese e spektrit të djathtë, në një interviste të posçame për gazetën “55”, flet për gjendjen aktuale të kësaj komune, ecurinë e investimeve aty si dhe ambicien e saj për të marrë kreun vendor të PD-së.
Zonja Hoxhaj, ju keni kandiduar edhe më parë për kreun e kësaj komune, ndërkohë vetëm në zgjedhjet e kaluara ishit fituese. A mund të na thoni se në ç’kushte e keni gjetur komunën kur e morët detyrën? Çfarë mungonte dhe çfarë jo?
Që të flas për kushtet në të cilën mora detyrën, këtë mund ta thonë vetë banorët. Ata më votuan si një kandidate të PD-së, por edhe si një femër, çka e shprehën me anë të votës, duke parë edhe gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej gjithë zona jonë. Nëse do të ishte punuar, ata nuk do të më kishin votuar mua, por kandidatin që kishte qenë një legjislaturë para meje. Konkretisht - për të marrë një shembull kuptimplotë - tek ne nuk funksiononte ujësjellësi dhe një sërë fshatrash ishin pa ujë. Një mungesë tjetër ishte edhe mungesa e rrugëve që këto fshatra të lidheshin me njëra-tjetrën. Ato (pseudo)rrugë ishin thuajse të rrënuara dhe nëpër to kalohej vetëm më këmbë. Mund të theksoj me plot bindjen se për shumë vite në këtë komunë askush nuk i kishte hedhur sytë nga arsimi, megjithëse komuna ka mbi 4900 banorë, me katër shkolla; tre nëntëvjeçare dhe një të mesme të përgjithshme, në të cilat studiojnë mbi 900 nxënës. Në këto shkolla nuk ishte bërë asnjë investim dhe pothuaj ishin në degradim të plotë. Ndërkohë kjo qendër e banuar kishte dhe vazhdon të ketë edhe një qendër shëndetësore e cila varet nga ISKSH-ja.
Gjatë kohës që ju jeni në krye të kësaj detyre, si mund ta përkufizoni aksionin e drejtuesve të komunës?
Duke marrë këtë përgjegjësi jo të lehtë, si kryetare e njësisë së qeverisjes vendore, në bashkëpunim me qeverinë është bërë rikonstruksioni i rrugës Bejar-Zaimaj-Tatoshaj, me një gjatësi rreth 4 km. Ndërtimi i kësaj rruge në fakt kishte filluar që në vitin 2001, por qeveria paraardhëse e kishte lënë në harrese. Ndërkohë, pas ardhjes së të djathtëve në pushtet, të parën gjë që bëmë ishte nisja e punës për ndërtimin e rrugës, punime të cilat mbaruan në qershor të vitit 2008. Tashmë ajo është një rrugë e shtruar me rërë bituminoze. Po ashtu, dua të theksoj se ka mbaruar shtrimi me rërë bituminoze i të gjitha lagjeve të qendrës Fratar e këtë vit ka nisur puna edhe për shtrimin e hapësirave në fshatrat Ninësh e Bejar. Investimet janë realizuar nga të ardhurat e Komunës. Së shpejti fillon rikonstruksioni i rrugës Qendër-Fratar, me asfaltim, ndriçim e trotuar. Një rëndësi e veçantë iu kushtua rikonstruksionit të shkollës së mesme. Ministria e Arsimit akordoi një fond të veçantë për t’i kryer këto punime. Rikonstruksioni nisi në tetor të 2008-s dhe ka përfunduar në fund të vitit të shkuar, pra, brenda një kohë rekord. Aktualisht, kemi përgatitur projektin për rikonstruksionin e shkollës në fshatin Ninësh, shkollë e cila aktualisht ndodhet në një gjendje shumë të vështirë, bile pa dyer e pa dritare. Po ashtu, për të gjithë fshatrat që kishin pasur kohë më parë një rrjet të furnizimit me ujë, por që kishte dalë jashtë funksionit për shkak të amortizimit, kemi mundësuar furnizimin e tyre me ujë. Me këtë rast, falenderojmë në mënyrë të veçantë edhe Drejtorinë e Ujësjellësit të Rrethit Mallakastër për punën e vështirë që ka bërë për restaurimin e këtij rrjeti tejet të amortizuar. Ndërkohë, është duke përfunduar ndërtimi i ujësjellësit të fshatit Gadurov dhe pritet të fillojnë investimet në fshatin Malas, gjithmonë këto në bashkëpunim me qeverinë.
Thuajse e gjithë komuna do të përshkrohet nga autostrada e re që sapo ka filluar të ndërtohet, ajo Levan-Tepelenë. Cilat janë akseset që do të ofrojë ndërtimi i saj për komunën tuaj?
Siç e thatë edhe ju, kjo autostradë do të përshkojë pjësën më të madhe të kësaj komune. Ndërtimi i saj që kalon mes përmes komunës sonë, po pritet me interes të madh nga banorët e kësaj zone. Më kujtohet në këto momente një thënie romake, “Ku mbarojnë rrugët tonë, mbaron edhe zhvillimi”. Do të thoja se më ndërtimin e kësaj rruge hapen shumë mundësi investimi në këtë zonë dhe hapja e një sërë biznesesh të reja. Po ashtu, ajo rrugë mundëson lidhjen për një kohë të shkurtër të kësaj komune me zonat përreth, sidomos me bregdetin. Unë i kujtoj shumë mirë takimet elektorale që kishim vite me parë me këta banorë të cilët përmendin shpesh “Ujë, rrugë e drita duam ne. Pasi me të tjerat merremi vetë”. Ne jemi duke u munduar që të mos plotësojmë vetëm kërkesat më të domosdoshme të tyre. Hapja e kësaj rruge do të bëjë të mundur që banorët t’i tregtojnë prodhimet e tyre në qytete të tjera. Njerëzit presin gadishmëri dhe ndihmë prej nesh. Ne e kemi kuptuar këtë dhe mundohemi që t’ua shpërblejmë me punë votën e dhënë.
Komunat veçanërisht, karakterizohen nga probleme të thekshme. Aktualisht, ç’mund të thuhet për fshatrat e komunës tuaj?
Kjo komunë për momentin, problemet më të mëdha që ka pasur pothuaj i ka zgjidhur gjatë kësaj legjislature. Do përmendja, se asnjë familje nuk paguan energji afrofe. Çdo familje është pajisur me sahat matës të enegjisë. Të jemi realistë ne nuk mund të themi se gjithçka është mrekulli, pasi probleme lindin çdo ditë, aty ka banorë, punohet dhe nuk mund të thuhet se po jetohet në parajsë. Por problemeve më të ngutshme u kemi dhënë dhe jemi duke u dhënë zgjidhje.
Në këto momente, a keni ndonjë substancial, për të cilin prisni ndihmë nga qeveria?
E vërteta është se ne kemi shumë projekte për zhvillimin e zonës. Një nga projektet që dua ta theksoj dhe që është parësor për komunitetin është asfaltimi i rrugës Ziaj-Ninës-Damës, që është e vetmja rrugë që lidh popullatën më të madhe me rrugën nacionale, me shkollat dhe me qendrën shëndetësore. Mund të theksoj se kjo rrugë shërben edhe për popullsinë e komunave përreth si dhë të Qarkut Gjirokastër.
A vëreni ndonjë ndryshim mes komunës tuaj dhe tre komunave të tjera që drejtohen nga PS dhe LSI?
T’i përgjigjesh kësaj pyetje është shumë e vështirë. Përgjigja ime është se janë komunat në fjalë që e ndjejnë ndryshimin mes investiturave, e gjithçka është edhe më e qartë, në komunën që unë drejtoj.
Pas kandimit tuaj për kreun e komunës, ku në fakt fituat, tashmë keni hedhur edhe kandidaturën për kreun e PD-së së Mallakastrës. Pse po futeni në një garë të tillë?
Me profesion jam mesuese matematike dhe kam dhënë mësim në shkollën e mesme. Megjithë angazhimin tim shumëvjeçar, do të thoja se gara për kreun PD-së është garë e vështirë. E mora këtë vendim për t’u bërë pjesë e saj për disa arsye. Së pari, kam një mbështetje të madhe nga banorët. Mendoj se kam punuar dhe këtë mendim shumë lehtë mund ta ilustroj edhe me shembuj realë. Mendoj se kjo është arsyeja që më bëri të mendoja se një ditë mund të jem edhe në krye të PD-së. Duke qenë kandidate për një post të tillë dhe duke u mbështetur në aftësitë e mia komunikuese me mallakastriotët, duke vlerësuar ata që në thelb duan shërbimin dhe përkujdesjen, dhe që mbi të gjitha janë të gatshëm të vlerësojnë punën e bërë, kam besim se do të kem edhe mbështetjen e tyre. Dua të theksoj se unë kam një respekt për të gjithë kandidatët e tjerë dhe uroj sinqerisht që PD-ja e Mallakastrës të drejtohet nga dikush që e meriton.
...