Të dënuarit që do të transferohen në Burgun e Fushë-Krujës
Laureta Rryçi
Nis funksionimi i Burgut të Fushë-Krujës. Prej katër ditësh, burgu më i ri në vend ka pritur “banorët” e parë. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pohuan dje për gazetën “Albania” se të dënuarit që janë nëpër burgje të tjera, por që i përkasin kësaj zone, do të transferohen në godinën e re. Të njëjtat burime shpjeguan se deri tani transferime ka pasur nga Burgu i Burrelit, ai i Rrogozhinës dhe Lushnjës. Gjatë këtyre ditëve do të ketë rreth 100 transferime vetëm nga Burgu i Peqinit për në Burgun e Fushë-Krujës. Burimet pranë Drejtorisë së Burgjeve treguan se vetëm nga Peqini pritet të largohen rreth 100 të dënuar. Autoritetet kanë menduar plan të veçantë për realizimin e këtyre transferimeve, që përveç kostove financiare, duan plan të saktë për elementet e sigurisë për t’u shmangur ndonjë arratisje apo incident tjetër.
Burgu i ri
Burgu i Fushë-Krujës, edhe pse prej një viti pothuajse kishte përfunduar, mungesa e disa fondeve çoi në hapjen e tij me vonesë. Megjithatë, ky është një lajm i mirë jo vetëm për drejtuesit e Burgjeve në vend, por edhe për vetë të dënuarit. Kjo për shkak se shumë kërkesave të të dënuarve që i përkasin Shqipërisë së Mesme u ka ardhur momenti të miratohen për transferimin në një zonë pranë familjes. Por edhe për të dënuarit e tjerë, që për shkak të fenomenit të mbipopullimit, iu duhet të ndajnë qelinë me më shumë të dënuar sesa e parashikon ligji.
Transferimet
Vetëm pak ditë më parë janë transferuar të dënuarit e parë në Burgun e Fushë-Krujës. Drejtuesit e Burgjeve kanë menduar se fillimisht duhet të transferohen të dënuarit që vuajnë dënimin në seksionin e sigurisë së zakonshme. Kryesisht të burgosurit që janë menduar të transferohen deri pak ditë më parë e vuanin dënimin në burgjet e Rrogozhinës, Lushnjës dhe Burrelit. Ndërsa gjatë këtyre ditëve pritet të transferohen rreth 100 të dënuar vetëm nga Burgu i Peqinit. Burgu i ri mendohet të ketë një kapacitet prej afro 300 personash dhe ka seksione të sigurisë së lartë dhe të zakonshme. Vënia në funksionim e tij pritet të zgjidhë deri në njëfarë mase problemin e mbipopullimit në burgje, që është një ndër fenomenet më shqetësuese të momentit. Burgu i Fushë-Krujës është një burg me parametra të lartë sigurie dhe plotëson kushtet e vendosura nga ndërkombëtarët. Mbipopullimi është një nga shqetësimet kryesore në burgjet shqiptare, por me vënien në funksionim të ambienteve të reja të vuajtjes së dënimit, situata pritet të përmirësohet dukshëm.
Box
Të dënuarit VIP në Burgun e Peqinit
Sokol Koçiu, i dënuar për trafik droge
Frederik Durda, i dënuar për trafik droge
Arben Bërballa, i dënuar për drogë
Alfred Nanaj, i dënuar për drogë
Arben Grori, i dënuar për drogë dhe për vrasje
Agim Pepa, i dënuar për vrasje me burgim të përjetshëm
Astrit Peqini, i dënuar për një sërë vrasjesh
Ismet Haxhia, i dënuar për vrasje
Viktor Ymeri, i dënuar për vrasje, tentativë arratisje nga burgu, dënimi, burg i përjetshëm
Eduart Ymeri, i dënuar për vrasje dhe grabitje, dënimi 24 vjet
Elidon Prendi, i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe grabitje
Pëllumb Tafili, i dënuar për vrasje
Ilirjan Nelaj, i dënuar për grabitje me armë
Fatmir Veliaj, i dënuar për vrasje
Julian Caka, i dënuar për vrasje
Ylber Ahmetaj, i dënuar për vrasje me paramendim
Dorian Duli, i dënuar i sigurisë së lartë
Të dhëna
11 burgje
janë aktualisht në të gjithë vendin. Katër prej tyre ndodhen në kryeqytet dhe pjesa tjetër ndodhen nëpër qytetet e tjera të vendit. Shumë prej tyre e ushtrojnë këtë funksion prej shumë vitesh. Në vendin tonë kemi tre lloje burgjesh për nga siguria.
3000 të burgosur
janë aktualisht në të gjitha burgjet dhe ambientet e paraburgimit në vendin tonë. Sipas statistikave, kjo shifër sa vjen dhe rritet, duke shënuar kështu dhe një numër të lartë të kriminalitetit në vend.
3 burgje
janë të Sigurisë së Lartë në të gjithë vendin. Ato ndodhen në Burrel, Peqin dhe Tepelenë. Në to përgjithësisht vuajnë dënimin të dënuarit VIP dhe ata që janë dënuar nga 15 vite burg deri në burgim të përjetshëm.
Të dënuarit
Në seksionin e sigurisë së lartë të Burgut në Peqin ndodhen rreth 200 të dënuar. Ata janë për vrasje, grabitje dhe vepra të tjera të rënda penale. Rreth 80 prej tyre janë ekstraduar nga Greqia, Franca, Italia e Belgjika dhe Anglia. Në tërë burgun ndodhen 800 të dënuar për vepra të ndryshme penale.
Burgu
Burgu i sigurisë së lartë të Peqinit ka një kapacitet normal prej 800 vetash, ndërkohë që mund të mbajë deri në 1200 të burgosur. Ai ka një sipërfaqe 20 mijë metra katrorë, me mure rrethuese tetë kilometra gjatësi, nëntë metra të larta e gjysmë metri të trasha. Në këtë burg punojnë rreth 600 punonjës.
17 Qershor 2008