Ndryshohen pagat e 140 punonjësve të Inspektoratit të Ndërtimit
Qeveria ka miratuar ditën e djeshme një organikë të re pagash për tre institucione. Institucionet në fjalë janë Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar, Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve dhe Agjencia Shqiptare e Biznesit dhe Investimeve. Në dyja agjencitë e mësipërme do të kenë një ndryshim rrënjësor organike, ndërsa për 140 punonjësit e Inspektoratit Ndërtimor dhe Urbanistik Kombëtar do të ketë rritje page vetëm për kategoritë e para. Punonjësit e tjerë të Inspektoratit Ndërtimor dhe Urbanistik Kombëtar dhe të Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve do të paguhen sipas lidhjeve të kategorisë së dytë dhe të kategorisë së dytë shtresa M, sipas vendimit të vitit 2006. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2008 do të përballohen nga fondet e miratuara për secilin institucion, për këtë vit. Ky vendim do të hyjë menjëherë në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. Projektvendimi parashikon ndryshimin e pagave të punonjësve të këtyre institucione jo vetëm për efekt të rritjes së pagës minimale në shkallë vendi, por edhe në zbatim të politikave të qeverisë në sektorin buxhetor. Rritja mesatare e pagave varion për nivele pagash të ndryshme. Efekti financiar i ndryshimit të pagave llogaritet të jetë pothuaj i pandjeshëm për qeverinë. Rritja është bërë për kategori të veçanta për të zbatuar hierarkinë e funksionit dhe të ndarjes së rrogave. Duke e vlerësuar rolin e Inspektoratit Ndërtimor dhe Urbanistik Kombëtar shumë të rëndësishëm, për momentin që po kalon vendi, ekspertët kanë parashikuar dhe një rritje të numrit të punonjësve si për qendrën, ashtu dhe për rrethet. Propozimi ka gjetur dhe mbështetjen e qeverisë, duke vënë në konsideratë përmirësimin e strukturës organizative në çdo degë dhe drejtori, ku shtimi i specialistëve shihet si përshtatje ndaj ritmeve të reja të punës dhe për të mbuluar me mirë çdo veprimtari të Inspektoratit të Ndërtimit.
17 Prill 2008