E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verifikim të gjitha “Akteve të marrjes së tokës në pronësi”

Hipoteka, lëshohet urdhër i brendshëm për tokat bujqësore. Kush preket nga ky urdhër dhe çfarë pretendohet të shmanget më të

Laureta Rryçi

Tiranë - Për të shmangur abuzimet me tokat bujqësore, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka nxjerrë një urdhër të brendshëm që kërkon konfirmimin në qark të të gjithë dokumentacionit. Për këtë problem të konstatuar nga ZQRPP-ja janë vënë në dijeni të gjitha institucionet përkatëse. Nisur nga ky shqetësim i ngritur nga ana e Zyrës, Ministria e Bujqësisë ka hartuar një projektligj, i cili është duke u diskutuar në komisionet parlamentare, i cili synon të zgjidhë problematikën që ka ardhur nga abuzimet që janë bërë me tokën bujqësore. Një shqetësim tjetër i ngritur nga ZQRPP-ja është reflektuar me ndryshimin e ligjit ku përcaktohet edhe fshirja e mbivendosjeve apo e regjistrimeve të paluajtshme. Ky proces ka filluar dhe bazohet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Urdhri
Në lidhje me procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të përfituara në bazë të Ligjit 7051, është vendosur që thuajse të gjithë titujt e pronësisë të përfituara sipas Ligjit 7501 “Për tokën”, të verifikohen që në themel nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP). Në një urdhër të brendshëm të hartuar nga kryeregjistruesi i ZQRPP-së, Arben Qirjako, nënvizohet se në çdo rast që në ZVRPP do të paraqiten për regjistrim “Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi”, të lëshuara në bazë të Ligjit Nr. 7051, përpara se të bëhet regjistrimi i tyre, regjistruesi do të procedojë me verifikimin e përputhshmërisë së tyre me: Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi të së njëjtës familje bujqësore. Verifikimi i titujve të pronësisë ka të bëjë me ato certifikata pronësie që individët i kanë përfituar në bazë të dublikatit. Dublikati është një formular që lëshon komuna apo bashkia përkatëse, e cila del garant për pronësinë e personit. Ky formular lëshohet vetëm në ato raste kur personi që kërkon pasurinë i ka humbur akti i pronësisë. Janë pikërisht këto dublikata, me anë të të cilave mësohet se është kryer një batërdi falsifikimesh, ku mjaft individë kanë përfituar në mënyrë të paligjshme sipërfaqe të tëra tokash, duke i regjistruar më pas si prona të tyre në Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Kush preket
Sipas këtij urdhri, në të gjitha rastet ku figuron se pasuria e fituar me “Akt të marrjes së tokës në pronësi” figuron e regjistruar në regjistrat e zyrës së regjistrimit mbi bazën e dublikatës duhet të pezullohet deri në verifikimin nga ana e regjistruesit për përputhshmërinë e aktit me të cilin është bërë regjistrimi. Kjo përputhshmëri përfshin Aktin e marrjes së tokës në pronësi të së njëjtës familje bujqësore, nëse ndodhet në Zyrën e Regjistrimit si dhe të dhënat që tregojnë dokumentet e tjera mbi bazën e të cilave është lëshuar ky akt. Pas këtij urdhri, në çdo rast që do të paraqitet në ZVRPP për regjistrim me dublikata, regjistruesi duhet të refuzojë këtë regjistrim. Një kopje e këtij urdhri është afishuar në ambientet e brendshme dhe të jashtme të ZVRPP-ve, një kopje u është dërguar qarqeve, komunave, bankave të nivelit të dytë që operojnë në treg si dhe rast pas rasti personave të interesuar.

Pikat kryesore të urdhrit të kryeregjistruesit Arben Qirjako

1. Në çdo rast që do të paraqiten në ZVRPP, do të paraqiten për regjistrim “Akte të marrjes së tokës në pronësi”, të lëshuara në bazë të Ligjit nr. 7051, datë 19.07.1991 “Për tokën”, i ndryshuar përpara se të bëhet regjistrimi i tyre, regjistruesi do të procedojë me verifikimin e përputhshmërisë së tyre me: Aktin e marrjes së tokës në pronësi të së njëjtës familje bujqësore, nëse ndodhet në zyrën e regjistrimit; Të dhënat e formularit nr. 6, të ndodhura në zyrën e regjistrimit apo të paraqitur zyrtarisht nga Seksioni i Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Qark, pas kërkesës më shkrim të zyrës së regjistrimit.

2. Në çdo rast që në ZVPPP do të paraqiten për regjistrim dublikata, regjistruesi duhet të procedojë me refuzim regjistrimi.

Grupi i punës

Duke vërejtur të gjithë problematikën në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ZQRPP-ja ka ngritur një grup pune, i cili po harton rregulloren e brendshme të institucionit. Kjo rregullore do të normojë punën e Zyrës duke mënjanuar të gjithë problematikën që është vënë re deri sot. “Natyrisht që probleme ka ende në këtë zyrë, që është keqpërdorur për vite radhazi, por ne po punojmë me ritme të shpejta që ta bëjmë institucion sa më efikas dhe ta sjellim sa më afër misionit të saj; të qenit një bankë e të dhënave të pasurive të paluajtshme të shqiptarëve”, - thanë burime zyrtare pranë ZQRPP-së. Qëllimi kryesor i reformave që janë ndërmarrë në ZRPP është modernizimi i sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Kjo po realizohet nëpërmjet projektit “LAMP” të Bankës Botërore, që konsiston në kompjuterizimin e sistemit dhe të gjitha të dhënave. Modernizimi do të bëjë që aplikimet të trajtohen në një kohë rekord dhe aksesi te të dhënat e ZRPP-së të jetë sa më i lehtë.

Box
135
persona që punonin nëpër zyrat e Hipotekave në vend kanë humbur vendin e punës për abuzime me regjistrimin e pronës

105
punonjës që janë aktualisht nëpër zyrat e Hipotekave kanë marrë vërejtje deri në paralajmërim për largim nga puna

25
dosje janë dërguar në Prokurori për ndjeke penale nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme

50
dosje po përgatiten nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për t’u dërguar në Prokurori për ndjekje penale

17 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›