E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Politika e re synon bashkimin, jo përçarjen”



Kryetari i Partisë Socialiste ka vazhduar turin “Dialog me Shqipërinë” në komunën Levan të Fierit. Gjatë takimeve me banorët e kësaj komune, Rama është shprehur se politika e mllefit nuk ndërton një të ardhme dhe se Partia Socialiste gjendet çdo ditë mes qindra e mijëra njerëzve pikërisht për një mision dhe një mesazh krejt tjetër: atë të shtrirjes së dorës së bashkimit, pavarësisht ngjyrave të flamujve partiakë. Rama ka bërë thirrje për një bashkim të ri, në emër të së ardhmes dhe aspiratës për të ndërtuar një Shqipëri ndryshe nga kjo e sotmja. “Ju siguroj se mllefi nuk sjell asgjë të mirë, sepse mllefi nuk është as vizion, mllefi nuk është as program, mllefi nuk është as instrument për të ndërtuar të ardhmen. Me mllef nuk ndërtohet asgjë e mirë. Mllefi përçan, ndan dhe dëshpëron, dekurajon dhe paralizon, shpresa, energji. Ne jemi këtu, për një mesazh krejt tjetër. Ne jemi këtu, për një vizion, për një program dhe për një shtysë krejt tjetër, që është shtysa për t’i dhënë dorën njëri-tjetrit dhe për t’i dhënë jetë një bashkimi të ri, një bashkimi që nuk niset nga fakti se jemi anëtarë, simpatizant, apo mbështetës të një partie, apo të një partie tjetër, por që niset nga fakti se në radhë të parë jemi shqiptare dhe shqiptarë, qytetare e qytetarë, kemi një detyrim më të madh, t’ju lëmë fëmijëve tanë, kalamajve të sotëm të Shqipërisë një atdhe më të mirë. Këtë atdhe të mirë nuk mund ta ndërtojmë me mllef, ndarje, përçarje, sherre e ndasi që kanë në bazën e tyre thjesht dhe vetëm interesat e politikanëve, jo interesat e qytetarëve”, - tha Rama.
Ai tha se Partia Socialiste ka hartuar një program të ri, që synon të ndërtojë një të ardhme të re dhe të sigurt për Shqipërinë. “Ne duhet të bëhemi bashkë dhe t’i japim jetë një Shqipërie të re, duke shkruar së bashku dhe pastaj duke realizuar një program të ri, një program për Shqipërinë e fëmijëve tanë, qofshin në fshat, qofshin në qytet, për të qenë të barabartë me fëmijët e Europës. Ne duhet të shohim se mbi çfarë vlerash ngrihet projekti ynë, sa jemi në gjendje për ta realizuar këtë projekt”, - deklaroi kreu i selisë rozë gjatë takimit me banorët e komunës së Levanit në rrethin e Fierit.

17 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›