E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshohet Këshilli Mbikëqyrës i KESH

 

“Ministri Dritan Prifti, i vënë në dijeni mbi raportin përfundimtar dhe rekomandimet e dhëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit rreth kontrollit të ushtruar në “KESH”, liroi Këshillin Mbikqyrës dhe emëroi Këshillin e ri Mbikëqyrës të shoqërisë. KLSH ka konstatuar shumë shkelje dhe abuzime me ligjin dhe fondet publike në KESH dhe ka kërkuar masa të rrepta për KM dhe drejtues të Kesh-it. Ministri Prifti  kerkoi në mbledhjen e parë të organit drejtues të shoqërisë analizimin me përgjegjësi të konkluzioneve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, si dhe marrjen e masave të nevojshme për mbarëvajtjen e administrimit të shoqërisë”, thuhet në deklaratën për media të kësaj ministrie. Pas këtij vendimi ministri i METE-s ka emëruar edhe këshillin e ri mbikqyrës. “Në mbledhjen e tij të parë, Këshilli Mbikëqyrës zgjodhi si kryetar Pjetër Dema, i cili ka një eksperiencë të gjatë në sektorin e energjisë. Dema ka ushtruar më parë detyrën e zv.Ministrit të Energjisë dhe ka qenë kryetar i Entit Rregullator të Energjisë. Anëtarë të tjerë të Këshillit të ri Mbikëqyrës janë edhe Jorgaq Kaçani Rektor i Politeknikut, Zef Preçi, si edhe ekspertë të tjerë të ekonomisë”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›