E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Protestat duhen shoqëruar me lënien e bojkotit

 

Aristir Lumezi

Deputeti socialist Kastriot Islami shprehet se protesta e 10 tetorit duhet të shoqërohet dhe me hyrjen në Kuvend të deputetëve socialistë. Ai sheh si një nga faktorët e largimit të Shpëtim Idrizit nga grupi i PS-së ka qenë dhe klima e rënduar brenda partisë, ku forumet nuk mblidhen dhe nuk konsultohen nga kryetari.  
Cili është mendimi juaj rreth vendimit të marrë nga kryetari socialist për nisjen e protestave popullore në 10 tetor?
Manifestimet paqësore janë një mjet demokratik i fuqishëm për të treguar nivelin e mbështetjes popullore dhe njëkohësisht për t’i bërë presion qeverisë të pranojë kërkesat e grupimit që i organizon ato. Në këtë kuptim nuk mund të jem kundër këtij aksioni të PSSH. Por ky aksion mund të garantojë sukses maksimal nëse kombinohet me një betejë të fuqishme në Kuvend në vend të bojkotit, i cili është inefikas dhe i papranueshëm për një vend demokratik e për më tepër i kritikueshëm nga partnerët ndërkombëtarë, siç ka ndodhur aktualisht. Nëse do të tentohej të arrihej synimi i zbardhjes apo bërjes transparente të parregullsive të hasura në procesin zgjedhor, duke bojkotuar dhe vetëm përmes manifestimeve, gjykoj se suksesi do të ishte i dyshimtë. Vendosja e kushteve të panegociueshme, bojkoti i Kuvendit i kritikuar nga partnerët ndërkombëtarë, kryerja vetëm e manifestimeve dhe mungesa e një strategjie daljeje, gjykoj se do të vinin në periudhën afatmesme në pozitë më të vështirë opozitën sesa maxhorancën. Për një vend anëtar të NATO-s, mendoj se është e përjashtuar në çdo rast mundësia e arritjes së qëllimeve politike me veprime të rrugës. Këtë gjë nuk e ka arritur asnjëherë as Berisha, ndonëse në vitin 1998 e në ndonjë rast tjetër janë dhunuar institucionet e shtetit. Përmbledhtas do të thosha se me një betejë inteligjente në Kuvend të grupit më të madh opozitar që ka rezultuar deri më sot, të kombinuar me një mbështetje të gjerë të publikut dhe manifestime paqësore të herëpashershme, por jo si qëllim në vetvete, mund të arrihej një maksimalizim i suksesit për të bërë transparent parregullsitë e procesit zgjedhor, duke respektuar të gjithë bazën ligjore të miratuar me konsensus në Kuvend.
A do të merrni pjesë në manifestimin e datës 10 tetor?
Çështja e pjesëmarrjes është vendimmarrje individuale. Personalisht do të jem në manifestim duke ndjekur në mënyrë logjike çfarë thashë më sipër. Besoj se ky do të jetë një qëndrim unik dhe për më tepër respekt i një vendimi politik.
Si e gjykoni vendimin e deputetit socialist Shpëtim Idrizi për t’u larguar nga grupi juaj parlamentar për të formuar një parti të re?
Shpreh keqardhjen për largimin e Shpëtim Idrizit nga Partia Socialiste, pasi ai ka qenë një deputet aktiv i saj, por pjesë e arsyeve që ndodhi shkëputja e tij është dhe klima autoritare që mbizotëron në Partinë Socialiste. Mesa duket kërkon të ketë një mekanizëm më të fuqishëm për të drejtat e komunitetit çam. Është një veprim jo i mirëpritur dhe ky është një mesazh në mënyrë të veçantë, për kreun e PS-së, sepse ai po e drejton këtë proces. Të gjitha forumet e tjera, siç është kryesia, janë jashtë veprimit gjatë kësaj kohe, dhe nuk po konsultohen për të marrë vendime apo për të mbajtur qëndrime, qoftë dhe për rastin e largimit të zotit Idrizi. Është një mesazh për faktin që mesa duket ka një klimë jo të shëndetshme të bashkëjetesës.
Do të shkëputeni nga PS-ja apo do të vazhdoni Lëvizjen tuaj brenda kësaj partie?
Nëse do të vazhdojë kjo frymë, natyrisht kjo do ta dobësonte më shumë PS-në, do të krijonte atë klimë që ndoshta ka qenë dhe një nga faktorët që e kanë bërë zotin Idrizi të largohet dhe kjo të shoqërohej me largime të tjera. Nuk e kam fjalën për ne të pestë që kemi një mendim më ndryshe, sepse jemi themelues të PS dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë në PS. Nuk do të tregohem naiv që ne të bëjmë dhe atë që ata presin, qoftë dhe vetëpërjashtimin që është një term qesharak që nuk ekziston as në statut. Ndërkohë që përjashtimi nëse do të ndodhte do ishte një akt shumë i rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›