Xhaçka: Vizat nuk i pengon protesta e opozitës
Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë se ka dështuar në përmbushjen e standardeve të kërkuara nga KE për liberalizimin e vizave. Deputetja socialiste, Olta Xhaçka, duke iu përgjigjur deklaratës së ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, tha se nuk është protesta e opozitës ajo që pengon procesin e liberalizimit.
“Dje, Ilir Meta, zëvendësi i kryeministri akuzoi opozitën, se nëpërmjet protestave për votën e lirë po pengonte gjithë procesin e liberalizimit të vizave dhe njëkohësisht lëvizjen e lirë të shqiptarëve në BE. Dëshirojmë t’i bëjmë me dije Sali Berishës, Ilir Metës dhe mbarë opinionit publik, se Shqipëria nuk është përfshirë në programin e liberalizimit të vizave për shkak të korrupsionit dhe paaftësisë të qeverisë Berisha dhe jo për faj të kontributit të munguar të opozitës, i cili ka qenë i qenësishëm në 4 vitet e shkuara”, u shpreh deputetja socialiste. Duke iu referuar vlerësimit të KE-së për sa i takon liberalizimit të vizave, Xhaçka tha se, “Shqipëria ka mbetur në klasë për përmbushjen e standardeve të nevojshme për mundësimin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në BE, qeveria Berisha ka dështuar në pajisjen e qytetarëve me dokumentet e identitetit me siguri të lartë, që do të thotë se procesi nuk ka qenë transparent, qeveria Berisha ka dështuar në përmbushjen e standardeve për emigrimin dhe trafikun e paligjshëm, në ripranimin dhe menaxhimin e integruar të kufijve”. Selia rozë i bëri thirrje dje qeverisë të plotësojë angazhimet që kërkohen nga partnerët evropianë për të përshpejtuar këtë proces. “Këto janë kushtet e paracaktuara nga KE-ja, ku asnjëra prej tyre nuk mohon të drejtën e opozitës dhe gjithë shqiptarëve për të protestuar për votën e lirë. Ndaj ne sot këtu në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i bëjmë thirrje Ilir Metës, t’i lërë karagjozllëqet, të mos dezinformojë publikun, të mos bëhet megafon i politikës boshe të Sali Berishës, por të ulë kokën dhe të bëjë detyrat e shtëpisë, sepse sot për sot Shqipëria ka mbetur në klasë dhe të dy bashkë janë ngelës në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’u mundësuar shqiptarëve lëvizjen e lirë në BE”, u shpreh deputetja socialiste e qarkut të Korçës.