E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Plotësoni kushtet, pastaj vizat”

 

BBC/ Arbër Vllahiu

Ministri suedez i Migrimit, Tobias Billstrom në një intervistë për BBC-në shprehet se nuk do të ketë liberalizim vizash për Shqipërinë pa u plotësuar më parë kushtet e paraqitura të BE-së. Sipas tij, plotësimi i kërkesave të udhërrëfyesit sjell edhe futjen në regjimin e vizave.
Disa vende të Ballkanit janë jashtë procesit të liberalizimit të vizave, përfshirë Bosnjën dhe Shqipërinë. Mos të harrojmë edhe Kosovën në këtë mes, që nuk është paraparë ose nuk ka kaluar nëpër këto procedura. Si i shihni ju tani këto vende. Janë braktisur ato?
Ne besojmë se është një dimension i rëndësishëm rajonal i liberalizimit të vizave dhe unë do të doja që të nënvizoj, në emër të presidencës suedeze, rëndësinë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor me kohë do të mund të përfshihen në këtë regjim të lehtësimit të vizave. Do të donim, gjithashtu, që të inkurajojmë Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën që të përshpejtojnë reformat që janë të domosdoshme, me qëllim që kërkesat për vizat të hiqen sa më shpejt të jetë e mundur edhe për qytetarët e tyre. Kjo është përgjigjja ime për këtë pjesë të pyetjes.
Zoti ministër, por kur bëhet fjalë për Shqipërinë dhe Bosnjën, çfarë më saktësisht doni ju që të bëjnë ato dhe të arrijnë para se ta merrni ndonjë vendim?
Ne si presidencë suedeze, besojmë shumë në udhërrëfyesit, që janë shumë të qarta për të përcaktuar rrugën drejt liberalizimit të vizave. Të gjitha vendet që duan të kenë liberalizim të vizave me BE-në duhet të përmbushin kërkesat e këtyre udhërrëfyesve. Nëse e bëjnë këtë ata do të lejohen të hyjnë brenda në këtë regjim, nëse nuk e bëjnë, atëherë duhet të presin deri sa t’i përmbushin kërkesat. Kjo është një politikë shumë e thjeshtë. Sa i përket udhërrëfyesit, nuk po hyj në hollësi, por ato natyrisht kanë kërkesa të posaçme kur bëhet fjalë për sigurinë, për burokracinë dhe kur bëhet fjalë për politikat e migrimit të BE-së.
Së fundi ka pasur një kërkesë të anëtarëve të Parlamentit të Evropës që këto vende të përfshihen në raport dhe të futen menjëherë sapo të kenë përmbushur kërkesat. A nuk është kjo një rrugë për të lehtësuar gjërat për të dyja vendet?
Mendoj se gjëja më e rëndësishme është që të përqendrohemi tek udhërrëfyesi. Kjo është gjithashtu një gjë për të cilën edhe anëtarët e PE-së duhet të mendojnë, sepse kjo mbi të gjitha është një çështje edhe për vetë BE-në. Nëse duam që vendet, të cilat i kemi në fqinjësi, që të futen në këtë regjim të lehtësimit të vizave duhet të bëjmë të njëjtat marrëveshje për të gjithë, duhet t’i trajtojmë të gjithë në mënyrë të barabartë, ndryshe do të përgjigjemi pse i lejojmë disa njerëz të lëvizin në një rrugë të shpejtë, ndërsa të tjerët duhet të presin deri sa t’i përmbushin kërkesat. Kjo besoj unë, do të shihej nga vendet në fjalë si jo e drejtë dhe jo solidare.
A ishin zgjedhjet në Shqipëri një nga pikat e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave?
Nuk preferoj të hyjë në hollësi, por më e rëndësishmja është që të gjitha vendet që duan të marrin lehtësimin e vizave, duhet të përmbushin kushtet e përcaktuara në udhërrëfyesin. Dhe kjo vlen për të gjithë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›