Dueli i golave, Bogu mund Ibrën
Bogdani, me 3 gola të shënuar, kundër Maltës, Portugalisë e Danimarkës, ndodhet i dyti në renditjen e “topscorer”-ëve të Grupit 1, duke lënë pas sulmuesin e Barcelonës, Zlatan Ibrahimoviç, i cili nga ana e tij ka realizuar vetëm 2 gola. Kjo renditje specifike kryesohet nga Soren Larsen i Danimarkës me 5 gola. Nga ndeshja e 14 tetorit në “Rasunda Stadium” na ndajnë diçka më pak se dy javë dhe të dyja skuadrat, si Shqipëria ashtu dhe Suedia, synojnë të marrin maksimumin nga ai takim, i fundit për eliminatoret e Botërorit, Shqipëria për t’u ngjitur një vazo më lart, të katërtën, Suedia për të prerë përfundimisht një biletë direkt për në Afrikën e Jugut, apo në play-of. Gjithsesi, Bogdani e ka fituar së paku në statistika: ka mundur vetë Zlatan Ibrahimoviçin, suedezin që edhe në Tiranë nuk na shënoi dot gol, në atë barazim të bujshëm 0-0. Erjon Bogdani me golin e barazimit ndaj Danimarkës (1-1) vendosi edhe një “rekord” personal në kualifikueset e botërorëve: 7 gola, nga 12 që ka shënuar në total në 52 ndeshje me fanellën e përfaqësueses, duke qenë shënuesi më i mirë i Shqipërisë në eliminatoret e kampionateve botërore. Sulmuesi 32-vjeçar i Kombëtares dhe i Kievos në Serinë A e ka filluar karrierën futbollistike me Partizanin, para 15 vjetësh, në vitin 1994.
Golashënuesit e Grupit 1
1. Soren Larsen (Danimarkë) 5 gola
2. Erjon Bogdani (Shqipëri) 3 gola
3. Sandor Torgele (Hungari) 3 gola
4. Niklas Bendtner (Danimarkë) 3 gola
5. Roland Juhasz (Hungari) 2 gola
6. Hugo Almeida (Portugali) 2 gola
7. Zlatan Ibrahimoviç (Suedi) 2 gola
8. Kristian Pulsen (Danimarkë) 2 gola
9. Nani (Portugali) 2 gola
10. Kim Kallstrom (Suedi) 2 gola