E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektet, BB takohet me drejtuesit e KLSH

 

Ecuria e projekteve të Bankës Botërore dhe shkeljet që janë konstatuar në to kanë qenë në qendër të takimit mes Camille Nuamah, Përfaqësuese e Zyrës së Bankës Botërore në Tiranë dhe përfaqësuesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Gjata takimit të djeshëm janë diskutuar mbi gjetjet e fundit dhe raportet e pritshme të KLSH për atë sa i takon projekteve të financuara nga Banka Botërore në Shqipëri. Në takim zyrtarët e lartë diskutuan mbi çështje të bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe ndërtimit të kapaciteteve, si dhe u sqaruan çështje që kanë të bëjnë me detyrimet e institucioneve publike, që përfitojnë nga projektet e financuara nga Banka Botërore. Gjithashtu, u ra dakord se rekomandimet pozitive të KLSH mund të ndihmojnë të forcohet zbatimi dhe efektiviteti i financimeve të donatorëve në përpjekjet e Shqipërisë për zhvillimin. “Jemi të kënaqur që Kontrolli i Lartë i Shtetit përpiqet të sigurojë që investimet e financuara nga Banka Botërore dhe asistenca teknike në Shqipëri të vazhdojnë të përdoren siç duhen, veçanërisht edhe pas mbylljes së këtyre projekteve”, theksoi Nuamah duke shtuar: “Dhe mirëpresim diskutime të tjera për ndërtimin e kapaciteteve në mbikëqyrjen financiare gjatë vizitës së ardhshme në vend të Drejtuesit Financiar Rajonal për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›