E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vodhi lekët e arkës, arrestohet punonjësi i Kadastrës



LEZHË – Pasi ka mbledhur taksat nga qytetarët, i ka futur në xhepin e tij dhe ka tentuar që t’i përvetësojë, por ka rënë në pranga. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se është arrestuar shtetasi Bardhok Bardhi, punonjës i Zyrës së Kadastrës në qytetin e Lezhës. Pas një kontrolli katërmujor, operacioni i koduar “Tapia e fundit” arriti të mbledhë prova për 36 - vjeçarin Bardhi. Dyshohet se punonjësi i shtetit ka abuzuar me detyrën, duke vjedhur arkëtimet që mblidheshin në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të qytetit të Lezhës. Pikërisht nën këtë akuzë ai është arrestuar dhe pritet të zbardhet skema që ai përdorte për të marrë paratë. Dyshohet se Bardhi ka marrë shumën e parave të mbledhura nga taksat që kanë paguar qytetarët për vërtetim pronësie. Ndaj tij kanë nisur hetimet për “shpërdorim detyre”.

Ndalohet 25-vjeçari, u kap me kartëmonedha false

MALLAKASTËR – Një person i dyshuar për qarkullim të kartëmonedhave false euro është arrestuar dje në Mallakastër. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se është arrestuar shtetasi Edmond Bajramaj, banor në Drenovë të rrethit Mallakastër, pasi është gjetur me 300 euro të falsifikuara, të gjitha prerje 20 euro. Sipas tyre, 25-vjeçari u bllokua ndërsa po orvatej nëpër dyqane, te tregu i shumicës në qytet. I dyshuari u arrestua në kushtet e flagrancës. Ai po përpiqej të bënte një blerje në një dyqan ku kërkoi që të paguajë me euro dhe paraqiti kartëmonedhë njëzetëshe. Ai kishte qenë nën vëzhgimin e ekspertëve të Krimit Ekonomik dhe është prangosur teksa po tentonte të blinte mallin me kartëmonedhat e falsifikuara. Tri javë më parë u ndaluan në Lezhë dy persona, njëri prej tyre kishte një pikë të këmbimit valutor, pasi u kapën me 100 mijë euro, të gjitha kartëmonedha të falsifikuara.

SHKB-ja nis hetimet për policin e Hanit të Hotit

Tiranë - Policia e Shtetit ka nisur një hetim ndaj një efektivi të saj në Pikën e Kalimit Kufitar të Hanit të Hotit, duke e pezulluar dhe nga detyra, ndërkohë që në këtë proces është përfshirë dhe një ish-polic. Burimet zyrtare nga Policia e Shtetit, thanë për gazetën “Albania” se nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe Drejtorisë Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar ka filluar hetimi në ngarkim të punonjësit të policisë, inspektor Shaqir Hasanaj si dhe ndaj ish-punonjësit të policisë Tom Camaj, aktualisht taksist, i cili ka dalë në reformë më datë 9 nëntor 2006. Ndaj punonjësit të Policisë Kufitare, inspektor Shaqir Hasanaj, është marrë masa disiplinore pezullim nga detyra, për t’i hapur rrugën hetimit të çështjes. Ndaj tyre po zhvillohen hetime për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit pasiv nga punonjës që ushtrojnë funksione publike”. Gjithçka ka të bëjë me kalimin e paligjshëm të mallrave dhe njerëzve në këtë pikë kufitare me Malin e Zi, Policia e Shtetit fton subjektet dhe qytetarët që të denoncojnë në polici rastet e korrupsionit përmes numrit telefonik 129, ose duke kontaktuar me shërbimet përkatëse pranë çdo drejtorie të policisë në qarqe.

26 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›