Universiteti i Tiranës, konkursi i vendeve vakante për pedagogë, në janar
Jonida Tashi
Konkursi për plotësimin e vendeve bosh për pedagogë të rinj në Universitetin e Tiranës (UT) do të zhvillohet në muajin janar. Burime nga Drejtoria e Komunikimit në Universitetin e Tiranës bëjnë të ditur se për plotësimin e këtyre vendeve vakante do të procedohet sipas së njëjtës praktikë që u ndoq për emërimet e para. Megjithëse është vendosur që rekrutimi i pedagogëve të rinj për vendet bosh të bëhet me konkurs, fillimisht këto vende do të plotësohen përkohësisht. Në të kundërt, në rast se Universiteti i Tiranës nuk bën emërimin e pedagogëve të përkohshëm brenda muajit dhjetor, Ministria e Arsimit ia heq atij të drejtën për plotësimin e këtyre vendeve. Drejtori i Drejtorisë së Komunikimit në UT, Ervin Demo, sqaron se pedagogët që do të emërohen përkohësisht për të dhënë mësim deri në janar në fakultete do të përzgjidhen nga dosjet e paraqitura. Kështu, midis këtyre dosjeve, Komisionet e Vlerësimit do të përzgjedhin kandidaturat më të mira për emërimet e përkohshme. Procesi i rekrutimit të pedagogëve të rinj në Universitetin e Tiranës është realizuar në masën 95 për qind. Aktualisht ky universitet ka emëruar mbi 115 pedagogë të rinj në tetë fakultetet e tij. Ndërkohë që këtij numri pritet t’u shtohen edhe pedagogët që do të emërohen në vendet e mbetura bosh në departamente të ndryshme.
Vendet bosh
Ndonëse procesi i rekrutimit të pedagogëve të rinj në UT është realizuar në masën 95 për qind, në departamente të ndryshme të fakulteteve të tij ekzistojnë disa vende të paplotësuara për pedagogë të rinj. Por ende nuk është përgatitur një listë e saktë me vendet vakante që ekzistojnë sipas departamenteve përkatëse në fakultete. Sipas burimeve nga UT-ja, shpërndarja e këtyre vendeve është diversive dhe mosplotësimi i tyre ka ardhur për disa arsye specifike sipas fakulteteve. Kështu, mësohet se në disa fakultete, mosplotësimi i vendeve të përcaktuara ka ardhur si pasojë e mosplotësimit të kritereve nga kandidaturat e paraqitura. Ky problem i ka detyruar drejtuesit e fakulteteve që të përzgjedhin midis shumë dosjeve të paraqitura vetëm ata kandidatë që plotësonin kriteret për mësimdhënie në to, pavarësisht se këto përzgjedhje nuk e kanë plotësuar numrin e përcaktuar për pedagogë të rinj.
Konkursi
Konkursi për plotësimin e vendeve vakante për pedagogë në departamentet e fakulteteve të Universitetit të Tiranës do të rihapet sërish në fillim të muajit janar. Burime nga UT-ja sqarojnë se edhe në këtë fazë të dytë të emërimit të pedagogëve të rinj do të procedohet sipas praktikës së ndjekur në fazën e parë. Kjo do të thotë se rektorati i Universitetit të Tiranës, para hapjes së konkursit, do të shpallë afatet, kriteret, procedurat dhe detaje të tjera që kanë lidhje me zhvillimin e tij. Ndërkohë, pas dorëzimit të dosjeve të reja për kandidim, Komisioni i Vlerësimit, i ngritur në çdo fakultet, do të përzgjedhë kandidatët që plotësojnë kriteret e përcaktuara. Në Universitetin e Tiranës gjatë këtij viti akademik do të punësohen me kontratë pune njëvjeçare 160 pedagogë të rinj.
Politekniku, pedagogët e rinj do të shpallen brenda këtij muaji
Pedagogët e rinj që do të punësohen në fakultetet e Universitetit Politeknik do të shpallen brenda muajit tetor. Lajmi bëhet i ditur nga rektori i këtij universiteti, Jorgaq Kaçani, i cili sqaron se tashmë ka përfunduar procesi i dorëzimit të dosjeve të aplikimit. Kaçani thekson se përzgjedhja e emrave fitues në këtë universitet nuk do të jetë aspak politike, por do të bazohet në aftësitë e secilit kandidat. Madje ai sqaron se konkursit të pranimit të pedagogëve të rinj në Universitetin Politeknik do t’u nënshtrohen edhe kandidatët që kanë mbaruar doktoraturën. Aktualisht në këtë universitet ka nisur puna për shqyrtimin e dosjeve të paraqitura. Pas përzgjedhjes, komisionet e vlerësimit, të ngritura në çdo fakultet, do të shpallin kandidaturat fituese. 40 pedagogët e rinj që do të emërohen së shpejti për të dhënë mësim pranë UPT-së janë të ndarë mbi bazën e fakulteteve dhe të departamenteve.
26 Tetor 2008