E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshojnë të ardhurat e tatueshme

13/01/2011  Ministria e Financave: Shtimi i kapitalit, të deklarohet në tatime origjina e të ardhurave

Përcaktohet mënyra e tatimit fitoni në lojëra fati, baste apo kazino

Kushdo që kërkon të investojë para për shtimin e kapitalit të shoqërisë së tij duhet të ketë paguar tatim për të ardhurat personale para se të shtojë kapitalin. Është ky ndryshimi që Ministria e Financave i ka bërë udhëzimit për tatimin mbi të ardhurat personale, i cili hyn në fuqi menjëherë dhe është botuar në Fletoren Zyrtare. Deklarimi është i detyrueshëm të bëhet pranë organeve tatimore dhe duhet të caktohen edhe dokumentet që e vërtetojnë pagesën e këtij tatimi. Në udhëzim janë përcaktuar edhe rastet e tatimit që paguhet kur ju fitoni në ndonjë lojë fati televizive ose jo, apo në kazino.

Të ardhurat personale

Në të ardhura të tatueshme, sipas këtij udhëzimi, përfshihen të ardhurat në formë monetare që shkojnë për shtimin e kapitalit të shoqërisë, nga individë me burim të ndryshëm të të ardhurave nga jashtë shoqërisë, nëse këto individë nuk janë tatuar më parë, për këto të ardhura, ndërkohë që kanë qenë e janë objekt i tatimit dhe pagesës së tatimit mbi të ardhurat personale. “Lidhur me origjinën se nga janë krijuar të ardhurat në formë monetare, që shkojnë për rritjen e kapitalit të shoqërisë nga individi investues, duhet të paraqitet në organin tatimor një deklarim lidhur me origjinën e të ardhurave personale. Ky deklarim duhet të paraqitet jo më vonë se data e derdhjes së të ardhurave për shtimin e kapitalit të shoqërisë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, - thekson udhëzimi. Në deklarim duhet përshkruar me hollësi origjina dhe burimi i këtyre të ardhurave. Bashkë me këtë deklarim personi duhet të vendosë edhe dokumentacionin plotësues zyrtar që vërteton vlerën e këtyre të ardhurave dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat personale, përpara se këto të ardhura të investohen për shtimin e kapitalit të shoqërisë.

Kur mungon dokumentacioni

Kujdes, pasi nëse ky dokumentacion mungon ose nuk vërtetohet që për vlerën e plotë të të ardhurave të kontribuara është paguar tatimi mbi të ardhurat personale, atëherë personat e interesuar rrezikojnë që të paguajnë sërish mbi këtë vlerë të të ardhurave tatimi mbi të ardhurat në masën 10 për qind. Ky tatim do të paguhet në të njëjtën datë që individi do të paguajë të ardhurën monetare për shtimin e kapitalit të shoqërisë pranë QKR-së. Ministria e Financave udhëzon se pagesa e tatimit mbi të ardhurën për kontributin në kapitalin e shoqërisë duhet të derdhet nga individi kontribues, në llogarinë bankare të Drejtorisë rajonale Tatimore. Më konkretisht në përshkrimin në dokumentin bankar të pagesës duhet të shtohet edhe “Sa derdhur tatim mbi të ardhurat për shtimin e kapitalit të shoqërisë_____”. Pas paraqitjes së këtij deklarimi me dokumentet shoqëruese, Drejtoria rajonale Tatimore duhet të lëshojë një vërtetim për subjektin, në të cilin konfirmohen të dhënat e deklarimit. Drejtoria rajonale e Tatimeve njofton QKR-në për lëshimin e këtij vërtetimi.

Tatimi për lojërat e fatit

Organizatorët e lojërave të fatit u mbajnë tatim në burim për të ardhurat që realizojnë individët nga lojërat e fatit dhe kazinotë. Udhëzimi i Ministrisë së Financave parashikon rastet kur tatohen në burim të ardhurat e realizuara nga pjesëmarrjet në lojërat e fatit, si bastet, bastet on line, bingo tradicionale dhe televizive, lotari kombëtare. Tatimi mbahet nga organizatori i licencuar në organizimin e të tilla lojërave dhe llogaritet mbi shumën bruto të fituar. Shuma bruto, mbi të cilën llogaritet tatimi në burim, është diferenca midis fitimit të lojtarit me shumën e paguar për biletën, ose diferenca midis fitimit të lojtarit me shumën e vënë bast.

Kazinotë elektronike

Në rastet e të ardhurave të realizuara nga pjesëmarrja në lojërat e fatit kazino dhe kazino elektronike, individi lojtar duhet të bëjë një vetëdeklarim pranë organizatorit të lojës së fatit mbi shumën e luajtur në kazino. Bazuar në këtë vetëdeklarim, organizatori llogarit tatimin në burim si diferencë midis shumës së fituar dhe shumës së luajtur nga lojtari. Organizatori nuk e pajis lojtarin me vërtetim për fitimin e shumës së parave, pa mbajtur më parë tatimin në burim. Në rast se lojtari fiton, nga pjesëmarrjet në lojërat e fatit, një send të prekshëm, p.sh. një makinë, tatimi në burim llogaritet mbi vlerën e tregut të sendit të fituar. Organizatori është i detyruar të mbajë tatim në burim të të ardhurave të lojtarit dhe ta derdhë atë në organin tatimor përkatës jo më vonë se data 20 e muajit që pason muajin në të cilin është kryer pagesa. Rasti nr. 1

Nëse të ardhurat në formë monetare, që do të shkojnë për shtimin e kapitalit të shoqërisë, janë 10 000 000 lekë dhe kanë ardhur kryesisht nga shitja e një pasurie të patundshme, nga kursime personale të individit etj., duhet të deklarohen për origjinën e të ardhurave personale, që kjo e ardhur vjen:

a) nga shitja e pasurisë së patundshme: p.sh. marrim rastin e shitjes së një apartamenti. Në datën xx.yy.zzzz, me adresë_______kam përfituar të ardhura nga shitja e pasurisë së patundshme për shumën 5 000 000 lekë dhe se për këtë të ardhur kam paguar tatimin mbi kalimin e së drejtës së pronësisë në shumën x lekë;

b) nga të ardhurat nga punësimi për shumën 2 000 000 lekë për x vite të tatueshme sipas legjislacionit në fuqi;

c) nga të ardhurat të tjera për shumën 3 000 00 lekë;

Nëse për vlerën 3 000 000 lekë nuk disponohet dokumentacion lidhur me origjinën dhe nuk ka dokumentacion që vërteton pagesën e tatimit mbi këto të ardhura, duhet të bëhet pagesa e tatimit mbi të ardhurat në masën 10%, mbi shumën 3 000 000 lekë, barabartë me 300 000 lekë.

Me këtë deklarim tatimpaguesi duhet të ketë dokumentacionin:

a) një fotokopje të noterizuar të kontratës së shitjes dhe dokumentit që vërteton pagesën e tatimit mbi të ardhurat për shumën 300 000 lekë;

b) fotokopje të noterizuar të librezës së punës për vitet që keni punuar dhe krijuar këto të ardhura;

c) dokumente të tjera vërtetuese për justifikimin e origjinës së të ardhurave.

Kundrejt paraqitjes së këtij deklarimi me dokumentet shoqëruese, Drejtoria rajonale Tatimore duhet të lëshojë një vërtetim për subjektin, në të cilin konfirmohen të dhënat e deklarimit. Drejtoria rajonale e Tatimeve njofton QKR-në për lëshimin e këtij vërtetimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›