E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja “Gërdeci” e “Dabulla” KLD-ja nisi dje verifikimet

13/01/2011  Inspektorët zbarkojnë në gjykatë

TIRANE- Maratona e zgjatjes së seancave gjyqësore të procesit “Gërdeci”, si dhe vendimi i gjykatës për lirimin nga burgu i djalit të deputetes Arta Dade, Bensik Dabulla janë dy dosjet që po inspektohet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Gjatë ditës së djeshme disa nga inspektorët e këtij institucioni kanë “zbarkuar” në ambientet e gjykatës së Tiranës, ku kanë kërkuar nga gjyqtarët që të njihet me mbarëvajtjen e procesit të Gërdecit, problematikat që janë hasur si dhe vendimet e gjykatës që nuk janë zbatuar për marrjen e masave ndaj avokatëve që mungojnë në mënyrë të qëllimshme gjatë zhvillimit të gjyqit. Të kontaktuar me telefon një nga inspektorët e KLD-së tha për gazetën “Metropol” se inspektimi do të zgjasë disa ditë, ndërkohë që ai ka si qëllim vetëm verifikimin e punës së togave të zeza. Ndërsa për sa i përket avokatëve apo veprimeve të prokurorëve të çështjes, inspektimi nuk mund të shtrijë efektet e tij për shkak të moskompetencës. Lidhur me këtë çështje disa herë është kërkuar nga prokurorët verifikimi i tyre, por kjo ka hasur në kundërshtimin e avokatëve, të cilët kanë pretenduar se ai është një dokument zyrtar i besueshëm. Ndërkohë nga ana e saj, Dhoma kombëtare e Avokatisë nuk ka bërë asnjë reagim edhe pas kërkesës zyrtare të gjykatës së Tiranës, e cila i bënte apel kësaj të fundit që të ndërhynte për të zhbllokuar situatën. Tashmë procesi i “Gërdecit” ka hyrë në një rrugë pa zgjidhje, ndërkohë që nuk ka përfunduar ende paraqitja e provave të akuzës. Veç çështjes “Gërdeci” inspektori u shpreh se në qendër të vëmendjes së këtij inspektimi është dhe dosja e lirimit të Bensik Dabullës, djalit të deputetes Arta Dade. Burimet thanë se kjo çështje aktualisht është bërë objekt inspektimi, pas reagimeve se gjykata e Tiranës ka shkelur ligjin duke liruar nga qelia Dabullën, i cili akuzohet nga Prokuroria për veprat penale të “armëmbajtjes pa leje” dhe “plagosjes”. Precedentët kanë treguar se shtetasit e akuzuar për këto dy vepra penale janë lënë në burg, ndërsa rasti i Bensik Dabullës u rrëzua nga gjykata duke i dhënë lirinë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›