E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshon Sigla e Partisë Socialiste

27/10/2011  Takimi, gati projekti për ndryshimet në statut

Koordinator elektoral në çdo qendër votimi

Në draft është trajtuar gjerësisht dhe organizimi i PS-së në emigracion. Po kështu, grupi punës ka parë të nevojshme rishikimin e emërimit të partisë në proceset zgjedhore. Në fletët e votimit emërtimi në formën aktuale “PSSH” ka rezultuar të sjellë rrjedhje të votës, pasi ngatërrohet me emërtimet e partive të tjera dhe për këtë arsye është vendosur që në votimet e ardhshme të kemi një formulim të ri nga “PSSH” vetëm në “PS”.

Menaxheri për zgjedhjet është posti më i ri që do të ngrihet në Partinë Socialiste. Një funksion i tillë pritet të përcaktohet me ligj në mënyrën e funksionimit dhe organizimit të kësaj partie, për shkak se ky element është ndër propozimet kryesore në draftin e hartuar nga grupi i punës për ndryshimet në statut, i cili pret dhe miratimin në kongresit e 5 nëntorit. Njëkohësisht, në draft është trajtuar gjerësisht dhe organizimi i PS-së në emigracion, pasi në statutin aktual nuk ka pasur hapësirën e nevojshme. Gjithashtu grupi punës e ka parë të nevojshme rishikimin e emërimit të partisë në proceset zgjedhore. Për shkak se në fletët e votimit emërtimi në formën aktuale PSSH ka rezultuar të sjellë rrjedhje të votës, pasi ngatërrohet me emërtimet e partive të tjera, është vendosur që tashmë të kemi një formulim të ri nga PSSH vetëm në PS.

Takimi

Grupi i punë i ngritur pranë PS-së për ndërhyrjet e reja në kushtetutën e kësaj partie u dha mbrëmë dorën përfundimtare të gjitha propozimeve mbi një çështje të tillë. Të mbledhur mbrëmjen e djeshme, përfaqësuesit socialistë shqyrtuan në detaje të gjitha propozimet mbi ndryshimet në statut sa i takon mënyrës së organizimit dhe funksionimit të kësaj partie. Burime pranë këtij takimi bënë me dije se propozimet ishin të natyrave të ndryshme. Madje dhe vetë anëtarësia e PS-së në pyetësorët e vënë në dispozicion për të shprehur idetë e tyre kishte prekur disa nga çështjet që kanë të bëjnë me mënyrën se si është e organizuar PS-ja. Por mësohet se grupi i punës ka preferuar që të mbajë një ekuilibër të organizimit të deritanishëm të partisë, duke iu referuar dhe modeleve të partive të majta evropiane.

Drafti

Reforma organizative në Partinë Socialiste do të konsistojë në ngritjen e strukturave të reja brenda kësaj force politike. Kështu, krijimi i një posti të ri në këtë parti, e konkretisht ai i menaxherit për zgjedhjet, pritet të sjellë një risi në mënyrën e organizimit dhe funksionimit të PS-së. Kjo pasi një post i tillë nuk ka funksionuar më parë në traditën e selisë rozë. Një element i tillë ka marrë miratimin e anëtarëve të grupit të punës për ndryshimet në statut, për t’ia vënë në dispozicion sot lidershipit socialist projektin përfundimtar mbi një çështje të tillë. Gjithashtu mësohet se në fillim të javës që vjen lidershipi socialist do të thërrasë asamblenë kombëtare, pasi është atribut i këtij forumi që të miratojë ndryshimet në statut dhe programin e ri të partisë, për t’ia deleguar më pas kongresit të PS-së.

Dorëzimi i drafteve

Grupi i punës për ndryshimet në statut do t’i dorëzojë sot kryetarit të PS-së, Edi Rama, projektin përfundimtar për ndërhyrjet e radhës në mënyrën e funksionimit dhe organizimit të partisë. Kështu, pas mbledhjes së mbrëmshme, e cila qe e fundit në maratonën e takimeve mbi një çështje të tillë, anëtarët e këtij grupi definuan në mënyrë përfundimtare draftin për ndryshimet në statut. Tashmë, pas dorëzimit në zyrën e kreut të PS-së, drafti do t’i delegohet kongresit të 5 nëntorit, ku do të jenë delegatët e sapozgjedhur të këtij forumi që do të thonë fjalën e fundit mbi këto ndryshime. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme Rama mori në dorëzim një tjetër draft. Ishte projektprogrami i ri politik, i hartuar nga grupi i posaçëm për këtë çështje, ai që iu vu në dispozicion kreut të PS-së.

Menaxheri elektoral

Eksponentë të lartë të Partisë Socialiste patën diskutuar lidhur me përshtatjen e postit të menaxherit për zgjedhjet, si pjesë integrale e reformës organizative të partisë. Ndërkohë një propozim i tillë ka marrë dhe miratimin e grupit të punës së ngritur për ndryshimet në statut. Ky post do të jetë i shtrirë në çdo qendër votimi dhe mendohet të përfshijë në punën e tij një sërë detyrash dhe përgjegjësish në parti.

Kongresi

Më 5 nëntor PS-ja do të thërrasë kongresin e saj për të vijuar më tej zgjedhjet në forumet drejtuese. Por delegatët e kongresit do të miratojnë edhe programin e ri dhe ndryshimet e reja në statut. Nisur nga vetë rëndësia që ka përbërja e këtij programi, kongresi i 5 nëntorit do të thotë fjalën e fundit mbi mënyrën se si PS-ja do të ballafaqohet me elektoratin nga viti që vjen e deri në sfidën elektorale të 2013-s.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›