E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Të ulet në 6% TVSH për energjinë

27/10/2011  Grupi parlamentar socialist dorëzoi dje në Kuvend projektligjin për uljen e TVSH-së

Partia Socialiste ka depozituar dje në Kuvendin e Shqipërisë propozimin e saj ligjor për rishikimin e ligjit të tatimit mbi vlerën e shtuar. Në projektligjin e saj PS-ja, duke e konsideruar imediate ndërhyrjen në çmimin e energjisë në favor të qytetarëve, i kërkon Kuvendit të ndërhyjë me uljen e TVSH-së nga 20 për qind që është aktualisht në 6 për qind në çmimin e energjisë elektrike. “Çmimi i energjisë elektrike për shqiptarët është nga më të lartët në rajon, duke e bërë këtë mall një nga më të shtrenjtët. Të dhënat e marra nga buletinet zyrtare të korporatave elektroenergjetike të shteteve të rajonit si dhe të disa shteteve të tjera të BE-së tregojnë qartë se konsumatorët shqiptarë e paguajnë disa herë më shtrenjtë kilovatin sesa fqinjët dhe shtetasit europianë”, - thuhet në relacionin bashkëngjitur projektligjit të propozuar nga grupi parlamentar socialist. “Sot në Shqipëri ka 523 mijë konsumatorë familjarë që konsumojnë mesatarisht mbi 100 kwh në muaj dhe që paguajnë mesatarisht rreth 8436 lekë TVSH në vit. Zbritja e kësaj shifre me 14% do të thotë që çdo familja shqiptare do të kursente të paktën 5905 lekë në vit, aq sa do t’i duheshin për të blerë librat e shkollës fillore për një prej fëmijëve të familjes”, thuhet në relacionin përkatës të përgatitur nga ekspertët e PS-së. Ndryshimet kryesore që propozohen të bëhen në ligj janë në nenin 24/2, ku socialistët kërkojnë të shtohet neni 24/3 me këtë përmbajtje: “Furnizimi me energji elektrike për konsumatorin familjar është furnizim që tatohen me 6% TVSH.” Socialistët gjithashtu kërkojnë që pas paragrafit 2 të nenit 30 shtohet paragrafi 3 me këtë përmbatje: “Furnizimi me energji elektrike për konsumatorin familjar është furnizim i tatueshëm me shkallën tatimore 6 për qind.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›