E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshon akciza për naftën D2, debate mes PS e PD në Parlament

 

Ndryshimi i akcizës së naftës së prodhimit vendas ka shkaktuar debate të ashpra në Kuvend ndërmjet maxhorancës dhe opozitës. Socialistët kontestuan projektligjin, duke theksuar se kjo do të ndikojë në rritjen e çmimit të karburanteve në treg. “Na keni akuzuar se po favorizojmë ARMO-n me vendimin që kemi marrë, tani na thoni se po e diskriminojmë. Ky vendim është për detyrimet për të ardhur për parametrat e kërkuara nga BE-ja, nuk bëhet për të shtuar të ardhurat në arkën e shtetit”, deklaroi Bode. Për ish-ministrin e Financave, socialistin Kastriot Islami, ky ndryshim lidhet me rritjen e të ardhurave dhe bëhet për shkak të fushatës elektorale dhe lidhet me rritjen e barrës fiskale. “Kjo do të çojë në rritjen e çmimit për konsumatorët, duke zvogëluar diferencën e çmimit mes naftës D2 dhe D1, duke i barazuar kjo do të çojë ndotjen e mëtejshme të ambientit. Ndërsa deputeti i djathtë, Spartak Ngjela, i kërkoi ministrit Bode që të japë “shpjegime se me këtë vendim rritet prodhimi shqiptar apo jo, mbrohet kapitali shqiptar ose jo”. “A po mbroni kapitalin shqiptar, na e thoni këtu se ne kemi ndaluar naftën D2 që është nga koha Mae Co Dunit. Shumë mirë nëse e mbroni kapitalin shqiptar, meqë qenka privatizuar, se po të ishte shtetëror nuk e merrni një vendim të tillë. Një gjë që dini ta bëni s’dini ta mbroni”, deklaroi Ngjela. Bode iu kundërpërgjigj se “nuk jemi të prirur të dëmtojmë konkurrencën brenda vendit për tregtinë e karburanteve”. “Unë ju kam dëgjuar edhe një herë tjetër zoti Ngjela lidhur me nevojën që Shqipëria të ketë edhe kombinatin e Mao Ce Dunit, herën tjetër na the se nuk prodhon gozhdën Shqipëria. Tani harrojeni gozhdën dhe sapunin e Kavajës, ajo që prodhon ekonomia nuk janë gozhdë e sapun, por rentabilitet, mirëqenie të vendit përmes konkurrencës”, deklaroi Bode. Socialisti Braçe u shpreh se edhe në relacionin e Komisionit të Ekonomisë ka të qartë se ky ndryshim vjen për shkak të rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit. Kuvendi e miratoi me 74 vota pro dhe 36 kundër disa ndryshime në ligjin “Për akcizat”, të cilat fiksojnë masën e akcizës në 37 lekë për karburantet. Ndryshimet në këtë ligj prekin gazoilin, për të cilin masa e akcizës, nga akcizë ad-valorem prej 75%, por me kufizim jo më shumë se 37 lekë për litër dhe jo më pak se 27 lekë për litër, bëhet akcizë specifike, vetëm 37 lekë për litër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›