Zguri, prej 9 vitesh në KQZ: Votimi, vlerësim për punën time
Anëtari i rizgjedhur, Klement Zguri mund të cilësohet edhe si senatori i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi prej katër mandatesh ai qëndron në këtë institucion. Ka që në kohën kur kryetar i KQZ-së ishte Fotaq Nano. Nga viti 2000, Zguri ka qenë anëtar i KQZ-së, duke bërë që partitë politike të gjitha spektrave të kenë besimin në punën që ka kryer. Ndër vite ai ka pasur edhe konsensusin e presidentëve, të cilët kanë vlerësuar edhe punën e tij si anëtar i KQZ-së. Si një person me eksperiencë, që ka kaluar si zgjedhje të përgjithshme dhe ato lokale, Zguri falënderon partitë për besimin e ridhënë për të qenë si anëtar i KQZ-së. “Rizgjedhja ime tregon një vlerësim për punën që kam kryer ndër këto vite pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Jam shumë i kënaqur për punën time, për integritetin tim moral është edhe një detyrim i madh për mua kjo rizgjedhje. Ky është mandati i katërt që marr, mendoj se eksperienca ime ka qenë vlerësuese dhe ka ndikuar në logjiken e vendimmarrësve”, deklaroi Zguri. Ai thekson se “i jam mirënjohës në mënyrë absolute subjektit që më ka propozuar, PD që më ka mbështetur si kandidaturë, por edhe partive të tjera parlamentare që më kanë votuar, duke më bërë si konsensual. Kjo pasi si tillë u nis edhe procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së”. Zguri u propozua nga ana e Partisë Republikane. Si kandidaturë alternative ai kishte Arben Braçen. Kandidatura e tij nuk u hodh në votim për shkak se Zguri mori 98 vota pro.