E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshon renta minerare jovjetore, taksa, sipas sasisë së nxjerrë

Ata që shfrytëzojnë minierat do t’i paguajnë shtetit taksën në një formë të re. Tashmë taksa apo renta minerare, nuk do të jetë më vjetore sikur ka qenë, por do të llogaritet në një përqindje të saktë të rentës sipas vlerës së tregut. Ndryshimi është miratuar dje në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, i cili miratoi ndryshime në projektligjin “Për përcaktimin e vlerës në përqindje, të rentës së pasurisë minerare, sipas vlerës së tregut, për çdo mineral apo grup mineralesh”. Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, në rastet kur mineralet përdoren për prodhim nënproduktesh (koncentrat minerali apo prodhime metalurgjike), të cilat eksportohen, renta minerare do të zbatohet në doganë, mbi vlerën e mineralit të përdorur për prodhimin e nënproduktit. Kjo vlerë do të llogaritet në bazë të faturave të shitjes së sasisë së mineralit, të përdorur për prodhimin e nënproduktit. Normativat dërgohen periodikisht nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, pranë Ministrisë së Financave, dhe publikohen në website-in e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave”. Ndryshimet e miratuara dje parashikojnë që për të gjitha kategoritë e tjera të nënprodukteve minerare, të cilat mund të derivohen nga mineralet e përcaktuara në shtojcën nr. 1, që i bashkëlidhet vendimit nr. 1203, datë 27.08.2008, të Këshillit të Ministrave, dhe për të cilat Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës nuk ka përcaktuar normativa korresponduese të mineraleve, që janë përbërës të këtij nënprodukti, kur zotëruesi i lejes së shfrytëzimit të mineralit është njëkohësisht edhe përpunues, renta minerare do të aplikohet mbi koston e prodhimit (nxjerrjes) të mineralit, kosto, e cila deklarohet nga prodhuesi dhe paguhet pranë organeve tatimore, sipas procedurave të parashikuara në udhëzimin e ministrit të Financave”. Deri në korrik të këtij viti, renta minerare ka qenë 3-10 mijë franga zvicerane në vit për çdo kilometër katror tokë, të dhënë me koncesion. Me ligjin nr. 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat kombëtare”, parashikohet që çdo person fizik apo juridik, që është i licencuar dhe vepron në industrinë minerare, duhet të paguajë rentë minerare për burimet natyrore që nxjerr nga/mbi/dhe nëntoka e territorit të Republikës së Shqipërisë, që llogaritet si detyrim mujor i subjektit taksapagues, në çastin kur ai shet produkte minerare.

Renta minerare përcaktohet duke shumëzuar vlerën totale të shitjes me shumicë të produktit me përqindjen e rentës, sipas tabelave përkatëse. Pagesa e rentës minerare bëhet brenda datës 15 të muajit pasardhës, kur janë realizuar shitjet. Degët e doganave në rrethe ngarkohen për vjeljen e kësaj rente, në rastin e eksportit të produkteve minerare, ndërsa degët e tatimeve ngarkohen për vjeljen e kësaj rente, në rastin e shitjes së produkteve minerare brenda vendit. VKM aktual ka caktuar tarifat përkatëse, ku bien në sy shifra të larta për tregtimin e pllakave të gurit, granitin, si dhe naftën e gazin, deri në 10% të vlerës së mallit të shitur, gjë që e rrit mjaft detyrimin fiskal për 400 kompanitë, të cilat kanë marrë licenca minerare në vendin tonë. Po kështu, renta minerare e gëlqerorëve, që shfrytëzohen nga kompanitë e prodhimit të çimentos, janë rritur dyfish.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›