Prezantohet Njësia e Menaxhimit Financiar e Kontrollit
Ministria e Financave dhe Qendra për Mbështetjen e Përmirësimit të Menaxhimit dhe Qeverisjes (SIGMA) organizuan dje një seminar për prezantimin e Njësisë Qendrore të Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit si dhe Sistemin e Zbatimit të Decentralizuar në Shqipëri. Në seminar mori pjesë ministri i Financave, z. Ridvan Bode, zv.ministri Sherefedin Shehu dhe sekretarët e përgjithshëm të ministrive të linjës, të cilët janë përgjegjësit e drejtpërdrejtë të hartimit të buxheteve për këto institucione. Ministri theksoi rëndësinë e krijimit të këtyre dy njësive për menaxhimin dhe kontrollin e financave publike, duke kërkuar përgjegjësi të lartë nga përdoruesit e fondeve publike në qeverisjen qendrore dhe vendore. “Objektivi kryesor i reformave që po ndërmerren në këtë fushë është përdorimi me transparencë, eficiencë, efektivitet dhe ekonomi i parave të taksapaguesve shqiptarë nga ana e institucioneve publike të ngarkuara me kryerjen e shërbimeve publike. Aktivitetet e programuara në këtë proces pritet të kontribuojnë ndjeshëm në përafrimin e kuadrit ligjor me atë të BE-së dhe ndërtimin e kapaciteteve institucionale për Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik”. Me asistencën e Bashkimit Evropian, gjatë periudhës 2005 – 2008 janë ndërmarrë një sërë aktivitetesh për forcimin e Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik. Produktet me të rëndësishme që janë realizuar në këtë periudhë dhe që po i shërbejnë përmirësimit te Kontrollit te Brendshëm Financiar Publik janë ligji për auditimin e brendshëm, manuali për auditimin e brendshëm dhe ligji “Për menaxhimin e sistemit buxhetor ne Republikën e Shqipërisë”. Ndërkohë, duke filluar nga viti i kaluar, Shqipëria po përgatitet për kalimin ne Sistemin e Zbatimit te Decentralizuar (DIS) të asistencës së BE-së. Zbatimi i këtij sistemi është një proces kompleks dhe që kërkon në radhë të parë njohjen dhe marrjen e përgjegjësive nga ana e institucioneve të vendit përfitues. Seminari kishte për qëllim përditësimin me informacion nga drejtues dhe ekspertë të BE-së, OECD-it dhe SIGMA-s, për këto sisteme të reja.