Ministria e Drejtësisë punëson pesë studentët më të mirë të Juridikut
Tiranë - Ministria e Drejtësisë i ofroi vende pune, pranë strukturave qendrore të saj, pesë studentëve me rezultatet më të larta të Fakultetit Juridik të Universitetit të Tiranës. Studentët më të mirë të Fakultetit Juridik u ftuan për të marrë pjesë në konkurrimin e organizuar nga Ministria e Drejtësisë për pesë vende të lira pune pranë saj. Në përfundim të këtij konkurrimi teorik dhe praktik, dhe në bazë të rezultateve të tij Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj i ofroi punë pesë studentëve me rezultatet më të larta të konkurrimit. Në takimin e zhvilluar dje me pjesëmarrësit në konkurs Ministri Alibeaj theksoi rëndësinë e procesit të rekrutimit të të rinjve më të mirë dhe më të kualifikuar pranë Ministrisë së Drejtësisë. Në përshëndetjen e tij Ministri theksoi se “Ky përbën vetëm hapin e parë në karrierën profesionale. Do të duhet dhe ju kërkohet që të gjitha njohuritë tuaja t’i zbatoni tashmë në praktikë, pa ju ndarë asnjëherë formimit të vazhdueshëm profesional. Ministria e Drejtësisë përbën institucionin e lakmuar për t’u punësuar për cilindo jurist të ri. Tashmë ju këtë shans e keni dhe kërkohet ta justifikoni sa më mirë me punën tuaj”, - përfundoi fjalën e tij ministri Alibeaj.
PS-ja mbështet Prokurorinë e Përgjithshme në thellimin e hetimeve për ngjarjen e gërdecit
TIRANË - Partia Socialiste inkurajoi dje Prokurorinë e Përgjithshme të vijojë e thellojë hetimet për të zbardhur ngjarjen e ndodhur në Gërdec të bashkisë së Vorës (Tiranë), në 15 mars të këtij viti. Nënkryetari i Grupit Kuvendor të Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha në një konferencë për shtyp se “këtë javë, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se ka marrë dhe 3 muaj kohë për të thelluar hetimet rreth ngjarjes së Gërdecit. Ne e gjykojmë të arsyeshëm veprimin e prokurorisë, ashtu siç kërkojmë me forcë që prokuroria të zbatojë ligjin me rreptësi ndaj çdo zyrtari apo kujtdo tjetër që pengon drejtësinë në zbardhjen e këtij krimi”. Sipas Braçes Partia Socialiste inkurajon prokurorinë për të ndërmarrë më shumë veprime dhe në hetimin e krimit tjetër, atij të përfshirjes së qeverisë shqiptare në tregtinë e armëve me një tregtar të luftës, të listuar në të zezë në SHBA e kudo, me adresa reale e të rreme në Bosnjen Serbe, berberhanen Qipriote, e klube nate në Zvicër, i cili nuk ka ushqyer llogaritë publike të qeverisë shqiptare, por llogaritë e zeza të anëtarëve e zyrtarëve të qeverisë shqiptarëve, e gjitha në mashtrim të qeverisë së SHBA dhe Aleancës kundër terrorit.
“Hetimi i këtyre dy krimeve është jetik, ndëshkimi i zyrtarëve në këto krime është lufta reale ndaj korrupsionit, ata vetë (zyrtarët) janë bilanci i zi real korruptiv i cili nuk mund të manipulohet nga Berisha me Këzen 80 vjeçare të Delvinës”, përfundoi Braçe.
Më 15 mars të këtij viti, si pasojë e një shpërthimi në një fabrikë të demontimit të municioneve në Gërdec, gjetën vdekjen disa banorë të zonës, disa qindra të tjerë u plagosën, ndërsa u regjistrua dhe një dëm i konsiderueshëm material.
31 Korrik 2008