Ndryshon skema, ndihma ekonomike tani do jepet nga bankat
Ulja e abuzivizmit dhe informalitetit janë dy nga arsyet që skema e ndihmës ekonomike dhe shpërndarja e saj pritet të ndryshojnë. Të gjitha këto janë diskutuar dje në Komisionin parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësore ku ka raportuar zv/ministri i Punës Kastriot Sulka. Në thelb të projektligjit të ri “Për ndihmën dhe shërbimet shëndetësore” qëndrojnë një sërë pikash të rëndësishme, të cilat ndryshojnë nga ligji aktual. “Këto ndryshime kanë të bëjnë me zgjerimin e grupeve përfituese, që do të përfshihen për herë të parë në skemë, duke u bazuar jo vetëm në kritere ekonomike, por edhe sociale, si dhe në futjen e elementëve të rinj në mënyrën e shpërndarjes së pagesës “kesh” me qëllim uljen e abuzivizmit”, tha dje Sulka. Ndryshimet e propozuara në skemë, sqaroi ai, parashikojnë zgjerimin e kategorive të përfituesve, kjo pasi në praktikë u vërejt se kishte lindur nevoja e garantimit të përfshirjes së disa grupeve të papërfshira në skemë. “Këto kategori do të përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave, kur familjet në nevojë kanë si kryefamiljar njërin nga fëmijët, për arsye të vdekjes së prindërve, ose kur njëri prej prindërve është dënuar, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton”, tha zv/ministri. Nga ana tjetër, projektligji përshkruan se në këtë skemë pritet të përfshihen ato familje që kanë si kryefamiljar një person me aftësi të kufizuara fizike e mendore, paraplegjik dhe tetralegjik ose invalid pune, familjet që kanë si kryefamiljare nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton, si kryefamiljar një individ që është mbi moshë pune dhe që nuk përfiton pension, si dhe kur anëtarët e familjes së tij janë mbi dhe nën moshë pune, të cilët nuk përfitojnë pension. Ky projektligj përcakton gruan si kryefamiljare në rastet kur ka praktika divorci për të tërhequr pagesën e Ndihmës Ekonomike. Nga këto ndryshime parashikohet që të përfitojnë mbështetje për herë të parë edhe rreth 800 persona jetim, rreth 400 persona viktima të trafikut, 500 gra në rastet e praktikave të divorcit. Ndërkohë që një tjetër risi është shpërndarja e Ndihmës Ekonomike nëpërmjet sistemit bankar.