Studentë e Kamzës: Dekani e ka kthyer universitetin në pronë
Një ditë pas konfrontimit me policinë, studentët e Universitetit Bujqësor në Kamëz janë zhvendosur para Ministrisë së Arsimit duke protestuar. Paralelisht me ta, 15 studentë të tjerë janë ngujuar në ambientet e UBT-së në grevë urie. “Do të hyjmë të gjithë në grevë nëse nuk dëgjohet zëri ynë”, shprehet një nga studentët protestues. Ndërkohë që ata i bëjnë thirrje Kryeministrit dhe Presidentit, të cilët janë vënë në dijeni përmes një letre që të ndihmojnë në çështjen e tyre. “Dekani e ka kthyer universitetin në pronë private dhe nuk dëgjon aspak kërkesat tona”, tregojnë studentët e irrituar para derës së MASH. Sipas tyre, kuotat që janë përcaktuar për pranimet në DND janë shumë të ulta në ndryshim nga viti i kaluar kur janë pranuar gjithë studentët aplikantë. Nga ana tjetër ata pretendojnë se lidhur me kriterin “mesatare” janë njoftuar vetëm në vit të tretë. E gjithë kjo histori zuri fill rreth dy javë më parë, kur dolën kuotat e Masterit 2-vjeçar(DND). Studentët e Universitetit të Kamzës në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, të cilët kanë mbaruar me sistemin e Bolonjës 3-vjeçarin tashmë duan që të vazhdojnë edhe 2-vjeçarin, me arsyetimin se tregu i punës nuk njeh diplomën e parë që kanë marrë.