Këshilltarja e Berishës, kryetare e re e KKRT-së
Endira Bushati do të jetë kryetarja e re e Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit. Anëtarja më e re me profesionin juriste u votua mbrëmë nga Kuvendi pas propozimeve të bëra nga PD-ja dhe miratuar nga ana e komisionit parlamentar të Medias. Në votimin e bërë fillimisht Bushati kandidoi përballë Margerita Velijas për postin e anëtares së KKRT-së. Ajo si anëtare mori 73 vota pro. Ndërsa si kryetare Bushati u votua me 68 vota pro dhe katër abstenime. Bushati zëvendëson Mesila Dodën në postin e anëtares së KKRT-së, njëkohësisht edhe si kryetare, pas zgjedhjes së saj si deputete e Kuvendit. Bushati aktualisht punon këshilltare për çështje ligjore pranë Kryeministrit. Seanca plenare votoi dhe gazetaren Suela Musta si anëtare e KKRT-së, me 73 vota pro. Përballë saj si kandidature alternative, Musta kishte Elida Gabën. Anëtarja më e re zëvendëson Artan Zenelin. Ndërsa në bazë të propozimit të ILDKP-së, Kuvendi shkarkoi edhe anëtarin tjetër Detar Hysi. Për shkarkimin e tij votuan 70 deputetë, pati 3 abstenime dhe një votë kundër. Ndërsa mësohet se dy kandidaturat e vendosura në KKRT janë propozuar në komisionin parlamentar të Medias nga ana e grupit parlamentar të PD-së.