E Diel, 1 Nëntor 2026

Në 100 vjet shtet, shqiptarët, krah për krah me pragmatizëm fetar Thomas Patrick Melady Nga Thomas Patrick Melady

Nga Thomas Patrick Melady

Profesor në Institutin e Politikave Botërore në Washington DC, SHBA, ish Ambasador i SHBA-së në Vatikan

Një indikator bazë, mbi gjendjen e institucioneve demokratike të një vendi në ditët e sotme, është niveli i lirisë fetare në këtë vend, një shekull më parë

Panorama e sotme shqiptare

Së pari, pozicioni i shtetit në lirinë e fesë, është reflektuar natyrshëm në Kushtetutë. Korniza ligjore dhe politike e Shqipërisë, është në përputhje me lirinë fetare. Kushtetuta aktuale garanton lirinë e besimit fetar, gjithashtu shume ligje dhe akte të tjera kontribuojnë në ushtrimin e lirë të besimit fetar, në Shqipëri.

Raporti ndërkombëtar i lirisë fetare, i botuar nga departamenti i shtetit, përfshin deklaratën e mëposhtme në lidhje më lirinë e fesë në Shqipëri:

“Kushtetuta garanton lirinë e fesë, dhe ligje të tjera dhe amendamente që kontribuojnë në praktikimin e lirë të fesë. Qeveria respekton lirinë fetare në predikim… Ligji i të gjitha niveleve mbron këtë të drejtë plotësisht kundër dhunës, qoftë ajo nga shteti apo sektori privat. Shteti është laik. Sipas Kushtetutës, nuk ka asnjë fe zyrtare dhe të gjitha fetë janë të barabarta, sidoqoftë, komunitetet kryesore fetare (Myslimanë Sunni, Bektashi, Ortodoks, dhe Katolik), gëzojnë njohje zyrtare të pranueshme (p.sh. Festa zyrtare) dhe status social, i bazuar në praninë e tyre historike në vend. Festat zyrtare përfshijnë ditët e shenjta, për të gjitha fetë kryesore”.

Diktatura e Hoxhës, një ëndërr e keqe për Shqipërinë

Sot, gjendja e lirisë fetare në Shqipëri është krejt ndryshe nga periudha e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Ky i fundit, menjëherë sapo mori pushtetin në krye të Frontit Demokratik në 1945-n, vendosi ndryshime drastike.

Pronat e institucioneve fetare u shtetëzuan, dhe pronat e manastireve, dioqezave dhe famullive, e kishin të kufizuar në 20 hektarë sipërfaqen e tokës. Duke u bazuar në reformën agrare të vitit 1946, toka bujqësore në Shqipëri u rishpërnda. Shumë nga klerikët dhe lidershipi i besimeve fetare, u torturuan dhe ekzekutuan. Më 1946-ën, të gjithë klerikët e kishës katolike romake u dëbuan, një goditje e rëndë për një numër të madh shkollash dhe qendrash të përkrahjes sociale në vend.

Politika e diktaturës “hoxhiane”, rrjedh nga mendimet personale të Hoxhës për fenë. Ai ka qenë dhunshëm kundër fesë, dhe objektivi i tij ishte të bënte Shqipërinë një vend ateist.

Kjo është arsyeja që periudha komuniste shqiptarë ishte më e egra ndaj institucioneve fetare, krahasuar me vendet e tjera në Europën Lindore dhe Ballkan.

Periudha anti-fetare e diktaturës së Hoxhës, arriti pikën kulmore me Kushtetutën e vitit 1976, ku neni 55 ndalonte veprimtaritë fetare.

Ëndrra e keqe “hoxhiane”, ishte një anomali në jetën shqiptare.

Shqipëria është njohur si një vend me tolerancë. Edhe në 5 shekuj të regjimit Osman, i cili konvertoi 70% të popullsisë shqiptare në myslimane, periudhë që nxori shtresën e pasur myslimane në skenën e elitës shqiptare, vazhdonte ende toleranca ndaj besimeve të tjera fetare.

Kushtetutat e miratuara përpara diktaturës së Hoxhës, të gjitha kanë patur përfshirë se Shqipëria nuk kishte besim fetar zyrtar, përcaktonin se besimet fetare ishin të respektuara dhe përmbanin se të gjithë shqiptarët kishin të drejtën të zgjidhnin besimin e tyre fetar, apo të refuzonin besimin nëse e dëshironin. Këto ishin ndjenjat e vërteta të popullit shqiptar, dhe këto ndjenja dhe besime, krah për krah me pragmatizmin fetar, ato kanë qenë një pjesë e brendshme e kulturës shqiptare.

Situata në Shqipërinë e sotme

Me ardhjen e fundit të diktaturës së egër të Enver Hoxhës, Shqipëria u kthye në traditën e saj të shëndoshë dhe të gjatë, të lirisë fetare. Sot, institucionet fetare luajnë një rol të rëndësishëm në fushën e arsimit. Kryeministri Sali Berisha është në krye të qeverisë për dy mandate, prej vitit 2005 dhe një figurë kyçe në jetën politike të Shqipërisë, që pas rënies së qeverisë komuniste. Ai ka qenë dhe është një mik i vendosur dhe i besueshëm i Shteteve të Bashkuara. Në bisedat e mia me z.Berisha, është e dukshme, se ai është i ndjeshëm ndaj traditës shqiptare të lirisë fetare dhe tolerancës.

Institucionet Arsimore-Fetare

Ministria e Arsimit në Shqipëri, konfirmon se shkollat publike janë laike, dhe indoktrinimi fetar në këto shkolla ndalohet me ligj. Nga më shumë se 100 institucione arsimore të lidhura me shoqata dhe fondacione, 15 kanë prirje fetare.

Sipas ligjit, shkollat me prirje fetare duhet të liçencohen nga Ministria e Arsimit, dhe kurrikulumi duhet të jetë në përputhje me standardet kombëtare të arsimit. Një numër shkollash të licencuara, janë nën administrimin e grupeve myslimane dhe katolike, të cilat nuk kanë patur ndonjë problem në marrjen e liçencave për hapjen e këtyre shkollave. Faktori i fortë kulturor i tolerancës, është i pranishëm në sistemin arsimor në Shqipëri.

Shqipëria dhe Kosova

Shqipëria po jep një shembull shumë të mirë për Kosovën, shtetin fqinj që ka fituar pavarësinë prej 2008-ës. Sfida në Kosovë për liri fetare, mund të jetë edhe më e madhe për arsye të konflikteve etnike midis komuniteteve shqiptare dhe atyre serbe. Lidershipi shqiptar ka qenë një force e rëndësishme në promovimin e tolerancës në Kosovën fqinje, një vend me popullsi myslimane.

“Feja e shqiptarit është Shqiptaria”

Në kuadrin e politikës aktuale amerikane, e cila bënë thirrje për thellimin e dialogut me vende kryesisht myslimane, është një fat që në brigjet e Adriatikut, në zemër të Europës, është një vend ku 70% e popullsisë i përkasin besimit mysliman dhe dy besimet e tjera kryesore, ortodoksët dhe katolikët, që përbëjnë 20 dhe 10 për qind të popullsisë, gëzojnë liri të plotë besimi.***

Është gjithashtu një fakt, se ky nuk është një fenomen i ri, por ashtu si Pashko Vasa, intelektual shqiptar i shekullit të XIX-të, ka thënë se “feja e shqiptarit është Shqiptaria”. Ky aspekt historik dhe i mishëruar në kulturën shqiptare, shërben si një shembull i lirisë fetare për vendet e tjera, me popullsi kryesisht myslimane. Kjo është një arsye e rëndësishme për të siguruar marrëdhënie pozitive bilaterale midis SHBA-së dhe Shqipërisë. Në vizitat e mia në Shqipëri, gjatë dekadës së kaluar, karakteristika kryesore kulturore, e cila është gjithmonë e pranishme në këtë shtet me pluralizëm fetar, është toleranca. Shqiptarët, që i përkasin tre besimeve të ndryshme, jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin. Në këtë vend me shumicë myslimane, Papa Gjon Pali II vizitoi Tiranën zyrtare më 1993-shin, dhe po punohet për themelimin e Universitetit Katolik në Shqipëri. Në këtë dekadë të dytë të mijëvjeçarit të tretë, Shqipëria ka marrë vlerësime maksimale për vendosmërinë e saj drejt lirisë fetare dhe tolerancës. Toleranca është pjesë e traditës shqiptare. Diktatura e Hoxhës ishte një periudhë brutale. Tranzicioni demokratik ka qenë i vështirë, por tani traditat demokratike të mirëfillta janë rivendosur. Tradita e tolerancës fetare shqiptare, shumë shpejt u rigjallërua si një faktor i rëndësishëm në jetën kulturore dhe qytetare të vendit.

Shqipëria, ky vend me shumicë myslimane, është një shembull që tregon se liria e besimit fetar dhe vlerat e fesë islame, jo vetëm që mund të bashkëjetojnë por edhe të lulëzojnë së bashku.

* Liria fetare në Shqipëri, analizë botuar në “Ambassador Review”, www.americanambassadors.org, (titulli i redaksisë)

**Byroja për Demokracinë, Të Drejtat e Njeriut dhe Punën, Departamenti i Shtetit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Raporti Ndërkombëtar për Liritë Fetare, 2009

***World Factbook, 2010

Kush është Ambasadori Melady

Thomas Patrick Melady, është diplomat karriere i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai ka qenë Ambasador në tre mandate, me tre Presidentë të ndryshëm, Uganda, Burundi dhe Selia e Shenjtë-Vatikan, në vitet ‘80-’90, dhe drejtues përfaqësimi në OKB, për një mandat tjetër, me një president të katërt.

Në diplomacinë botërore do të kujtohet gjatë, si drejtues i negociatave për njohjen e shtetit të Izraelit nga Vatikani, duke qenë zëdhënësi i drejtpërdrejtë i Presidentit Bush Senior, në takimet e tij me Papa Gjon Palin e II-të, të cilat përfunduan me sukses në vitin 1993, me njohjen e tij si shtet.

Ambasadori Melady njihet si ekspert i çështjeve politike në Europën Qendrore dhe Lindore, duke qenë edhe autor i 15 librave analitikë për këto çështje.

Thomas Patrick Melady është Doktor Honoris Causa, në njëzet e tetë (28) universitete të botës.

Ka drejtuar si Rektor dhe President, tre universitete në SHBA, dhe sot është President Emeritus i Universitetit Katolik, “Sacred Heart”, në SHBA.

Gjithashtu, Melady ka qenë këshilltar i Presidentit Regan për arsimin, dhe ndihmës sekretar shteti për arsimin universitar, gjatë presidencës së tij.

Ai është nderuar për merita civile, nga tetë shtete të botës.

Sot, Ambasadori Melady është Kryekëshilltar i grupit të përfaqësuesve të Vatikanit, në Kombet e Bashkuara.

Profesor në shumë universitete amerikane, ai drejton sot katedrën e çështjeve ballkanike, në Institutin e Politikave Botërore, në Washington DC.

Thomas Patrick Melady, për Shqipërinë*

E kam dashur shumë bukurinë e brigjeve të Adriatikut.

Ky është një aset i rëndësishëm që mund të zhvillohet, në mënyrë që turistë nga të gjitha anët e botës, ta vizitojnë dhe ndihmojnë në zhvillimin e Shqipërisë, si një vend me potencial. SHBA dhe perëndimi duhet të ndihmojnë Shqipërinë, të identifikojnë asete të tjera të cilat mund të kontribuojnë në transformimin e vendit në një nivel të ri zhvillimi.

Sali Berisha, kryeministri i Shqipërisë, është i vendosur të eliminojë korrupsionin në vendin e tij, dhe të fitojë respektin e komunitetit ndërkombëtar, njëkohësisht përmbushë sfidat euro-atlantike te Shqipërisë, dhe është e qartë se kryeministri vazhdimisht ka bërë ndryshime të konsiderueshme. Lajtmotivi i Berishës, është se jeta duhet dhe mund të përmirësohet. Progresi i konsiderueshëm, ka bërë që të ngrejë Shqipërinë në një nivel të ri, demokraci që i ofron njerëzve të saj, shpresë për të ardhmen.

Nuk ka asnjë dyshim, që Shqipëria ka kaluar një tranzicion të vështirë, nga komunizmi në demokraci.

Opozita duket e paaftë të konstatojë, se ka disa çështje të rëndësishme kombëtare, të cilat duhen zgjedhur krah për krah me ekzekutivin. Objektivi është një strategji bipartizane, për të gjetur zgjidhjen e problemeve kryesore të Shqipërisë. Kjo është një fushë ku këshilltarët e Europës Perëndimore dhe ata amerikanë mund të ndihmojnë. Në SHBA, të gjithë flasin për mbështetje bipartizane, në probleme të interesit kombëtar që kërkojnë mbështetje bipartizane. Shqipëria ka nevojë për ndihmë, në mënyrë që të krijojë një traditë, ku të gjitha partitë politike të bien dakord të punojnë së bashku, dhe të arrijnë konsensus në zgjidhjen e sfidave. Shqipëria nuk mund të përballojë më grindje të brendshme të stërzgjatura.

*www.americanambassadors.org

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›