"Qeveria mbështet institucionet e zbatimit të ligjit që përballen me krimin e organizuar"
Kryeministri Berisha takon Drejtorin e Prokurorisë Publike në Angli dhe Uells, Keir Starmer QC
Kryeministri Berisha priti dje në mesditë Drejtorin i Prokurorisë Publike në Angli dhe Ëells, Keir Starmer QC, i cili shoqërohej nga ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona McIlëham, si dhe bashkëpunëtorë të tij.
Starmer e falënderoi Kryeministrin Berisha për takimin dhe shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin shumë të mirë midis të dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar. Ai vlerësoi vullnetin politik të kryeministrit dhe qeverisë së tij në mbështetjen e dhënë ndaj organeve ligj zbatuese në këtë bashkëpunim.
Drejtori i Prokurorisë Publike në Angli dhe Ëells, Keir Starmer QC Starmer theksoi efikasitetin e luftës së përbashkët ndaj krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe trafiqeve gjithashtu vlerësoi dhe dha mbështetje për punën që bëhet në Shqipëri në këtë drejtim.
Kryeministri Berisha e falënderoi Starner për ndihmën mbështetjen dhe bashkëpunimin në prioritetin e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar. Ai theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të forcuar bashkëpunimin në këtë drejtim. Në këtë kuadër, kryeministri tregoi gatishmërinë e plotë të qeverisë shqiptare për nënshkrimin e çdo marrëveshje dhe krijimin e kornizës së nevojshme që do të rriste efikasitetin në luftën e përbashkët ndaj krimit të organizuar, trafiqeve dhe veprimtarive të tjera të paligjshme.
Kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare jep mbështetjen e plotë për të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit që përballen me krimin e organizuar.
Më herët, Drejtori i Prokurorisë Publike të Britanisë së Madhe, Keir Starmer, kërkoi nga Prokuroria shqiptare që të zhvillojë një hetim të plotë e gjithëpërfshirës për 21 janarin. Një qëndrim të tillë, Starmer e bëri publik gjatë konferencës për shtyp, të dhënë në përfundim të takimeve në Tiranën zyrtare.
Pas takimit me homologen, Ina Rama, Starmer së bashku me ambasadorin e BE-së, Etore Sequi dhe diplomaten e Britanisë së Madhe në vendin tonë, Fiona Mcllëham dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp ku trajtuan çështjen e së drejtës dhe shtetin ligjor, si dhe domosdoshmërinë për ndërmarrjen e reformave në këtë fushë nga ana e Shqipërisë.
I pyetur nga mediat, Starmer foli dhe parimisht mbi hetimet e 21 janarit.
"Shpresoj që e bëra të qartë qëndrimin tim. Nuk mund të zbres në detaje të çështjeve të veçanta apo komenteve, por flas për një parim të përgjithshëm shumë të rëndësishëm. Në dritën e ngjarjeve për të cilat bëhet fjalë duhet një investigim gjithëpërfshirës i pavarur dhe nga Prokuroria e Përgjithshme. Nuk është një parim specifik por parim universal", deklaroi Starmer.
Zyrtari i lartë britanik shprehu rëndësinë e reformës në sistemin e drejtësisë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri, që do të ndihmojë procedimin më të shpejtë dhe më të përshtatshëm të çështjeve specifike, por do të ndihmojë edhe për integrimin në BE.