Operacioni Morina sekuestron 20 mijë palë këpucë kontrabandë, vinin nga Bullgaria

Tiranë, 11 shkurt, NOA - Rreth 20 mijë palë
këpucë kontrabandë, dy persona të arrestuar, një tjetër në hetim të lirë
ndërkohë si edhe dy të shpallur në kërkim është bilanci i operacionit të koduar
Morina, i organizuar nga forcat e policisë së Tiranës.
Lajmi konfirmohet prej tyre për agjencinë e
Lajmeve NOA, duke bërë me dijeni se të ndaluarit janë Durim Myslia, 23 vjeç; Zymbil
Trota, 39 vjeç dhe Bujar Shehu, 40 vjeç (në hetim të lirë); që të tre banues në
Tiranë.
Mësohet se ndaj tyre ishte zhvilluar një hetim
intensiv 2 mujor prej policisë, ndërsa dyshohet se malli kontrabandë vinte nga
Bullgaria për në drejtim të Shqipërisë përmes pikës kufitare të Morinës me
destinacionin përfundimtar tregun e Medresesë në Tiranë.
Sekuestrimi i këtij malli kondrabë u realizua
pasi u bënë verifikimet e dokumentacionit dhe rezultoi se malli nuk kishte
asnjë dokument të origjinës dhe asnjë dokument të zhdoganimit të tij.
Dyshohet se kontrabanda realizohej me dy
automjete furgon dhe më pas malli shkarkohej në kamionin tip Benz me targë KU
2536 A, në pronësi të Zymbil Trotas, i cili u sekuestrua së bashku me mallin.
Aktualisht, vazhdon puna intensive për
dokumentimin e veprimtarisë kriminale të personave të tjerë të përfshirë
në këtë kontrabandë, kapja e dy personave të shpallur në kërkim dhe puna e
përbashkët me organet tatimore të Tiranës.
Materialet proceduriale do ti kalojnë për
hetime të mëtejshme prokurorisë së Tiranës për veprat penale të Tregtimit dhe
trasportimit të mallrave kontrabandë si dhe Ruajtja apo depozitimi i mallrave
kontrabandë, vepra penale të parashikuara nga neni 178 dh 179 të Kodit Penal.
n.e/NOA