Trafikoi për prostitucion, ekstradohet pas kallëzimit të nënës së viktimës

Tiranë,11 shkurt, NOA- Gentian Liçi është
martuar në vitin 2002 me vajzën me iniciale I. T dhe më pas e ka trafikuar atë
në Itali për të ushtruar prostitucion. Kallëzimi i nësën së viktimës ka bërë që
Prokuroria e Lushnjës të kërkoj ekstradimin nga Italia të Liçit për tu
përballuar me akuzat.
Drejtoria e Policisë së Shtetit bëri të ditur
sot se është bërë ekstradimi nga Roma, drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar
Gentian Liçi, 34 vjeç. Ekstradimi u bë
nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana.
Sipas njoftimit të policisë, ky shtetas ishte
shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, e ka
dënuar me 15 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të Trafikimit të femrave
për prostitucion.
Në
prill të vitit 2002, Liçi në bashkëpunim me shtetasit Petrit Liçi, Gëzim Liçi,
Hazir Zhyra, Dilaver Muhja dhe Kristaq Elezi, kanë trafikuar për qëllime
përfitimi shtetasen I. T. Duke parë gjendjen e vështirë ekonomike të të
dëmtuarës dhe familjarëve të saj, me anë të veprimeve mashtruese, shtetasit e
sipërpërmendur, kanë arritur të bindin prindërit e saj, që kjo e fundit të
martohej me shtetasin Gentian Liçi, duke u shprehur se të dy do të shkonin në
Itali për të punuar, thuhet në njoftimin e policisë.
Ka qenë nëna e viktimës ajo që ka bërë
kallëzim penal para organeve kompetente dhe mbi bazën e këtij kallëzimi është
regjistruar procedimi penal përkatës.
xh/NOA