E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne 24 ore tre te mbytur ne Adriatik

Në 24 orët e fundit tre persona kanë humbur jetën në ujërat e Adriatikut në Durrës e Kavajë. Në orët e para të mesditës së të martës, pesë të rinj kanë rrezikuar jetën, teksa një varkë është mbytur në plazhin e Spillesë. Për pasojë, sipas burimeve të policisë, 21-vjeçari Ledio Karaj është mbytur, ndërsa për fat, katër shokët e tij që gjendeshin në varkë, kanë mundur që të shpëtojnë. Ndërkaq vetëm pak minuta më vonë një tjetër pushues nga Kosova raportohet të jetë mbytur në det në plazhin e Golemit, për shkak të detit të dallgëzuar. Për të dy rastet në fjalë policia kufitare dhe ajo e rendit po punojnë për gjetjen e trupave të zhdukur në det. Ndërsa të hënën në plazhin e Durrësit Fatime Zyberi, lindur në Kukës dhe banuese në Tiranë, e cila ka qenë me tre kushërinj të saj me një varkë të vogël ne nje distance prej rreth 300 metra nga bregu është mbytur. Sipas policisë 23 vjeçarja është hedhur në një moment në uje për të notuar, por në panik e sipër ka kërkuar ndihmë, duke mos ia dalë që të ngjitet sërisht në varkën e marrë me qera. Një prej kushërinjve është hedhur për ta ndihmuar, por pa ia dalë për ta shpëtuar 23 vjeçaren, ndërkohë që djemtë e tjerë nuk kanë ditur not. Vetëm pas mbërritjes së polumbarëve është bërë e mundur gjetja e trupit të 23 vjeçares, duke u dërguar për në morgun e spitalit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›