Kanadaja do të mbështesë Shqipërinë në Integrimin në BE
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryetari i Senatit kanadez, Noel Kinsella shprehën sot angazhimin e tyre për zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Vizitën e tij të parë zyrtare në Tiranë kryesenatori Kinsella e nisi me takimin me homologen Topalli, me të cilin bashkëbisedoi lidhur me intensifikimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kanadasë. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp dy kryeparlamentarët informuan mediat për fushat e bashkëpunimit në të ardhmen si nafta, gazi, bankat, edukimi etj. Ata folën dhe për memorandumin e nënshkruar prej tyre në fushën e telekomunikacioneve. "Vizita e delegacionit kanadez do të jetë një dimension i rëndësishëm në zhvillimet më të ndjeshme ekonomike. Ne nëshkruam një memorandum bashkëpunimi për të inkurajuar dy qeveritë në fushën e telekomunikacionit, sidomos në atë të bashkëpunimit detar mes porteve tona kryesore dhe atyre kanadeze, që është i pari i këtij lloji", tha kryetarja Topalli. Kryesenatori Kinsella, pasi nënvizoi angazhimin e tij për ngritjen e marrëdhënieve mes dy popujve, shprehu kënaqësinë për praninë e biznesit kanadez në Shqipëri.Ai vuri në dukje se bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe edukimit është një tjetër pikë e nxitjes së marrëdhënieve dypalëshe, ku parashikohet zgjerimi i programeve kreative të këmbimit mes universiteteve të dy vendeve.
...