E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mot i keq në Durrës-Vlorë, ndalet puna në Porte

Forca e dallgeve 7-8 balle ne Adriatik dhe Jon ka bere qe dy portet kryesore ne vend te ndalin punen. Stuhia e nisur gjate nates ka shkaktuar vonesa ne mberritjen dhe nisjen e trageve te linjave Bari-Durres e Brindizi-Vlore 

DURRËS- Stuhia detare dhe reshjet e dendura të shiut, që kanë përfshirë në 14 orët e fundit rajonin e Durrësit, kanë vështirësuar lundrimin e trageteve, si dhe kanë bllokuar përkohësisht përpunimin e anijeve tregtare në portin detar të këtij qyteti. Situata nuk paraqitet normale as në Portin e Vlorës ku është ndërprerë puna për të njëjtat arsye.
Burime zyrtare nga kapiteneria e portit detar të Durrësit, bënë të ditur se "era e fortë me drejtim nga juglindja dhe deti me forcë 7-8 ballë kanë penguar sot në mëgjes mbërritjen sipas grafikut të trageteve nga porti i Barit (Itali), ndërsa mbrëmjen e kaluar janë shënuar vonesa nga 2-4 orë për nisjen e katër trageteve të linjës Durrës-Bari". Po kështu problemet ndoqën edhe nisjen e trageteve nga Durrësi për në Bari, ku tragetet “Joni” e “Athina” po qëndrojnë në pritje për një urdhër të dytë deri në përmirësimin e gjendjes.
Sipas burimeve të mësipërme, mëngjesin e sotëm në radën e portit kanë mbërritur vetëm dy nga katër tragetet e linjës Bari- Durrës. Mjetet ndihmëse lundruese dhe personeli përkatës kanë nisur manovrat për të lehtësuar hyrjen e tyre në port si dhe zbritjen e udhëtarëve dhe automjeteve.
Ndërkohë, ekuipazhet e 7 anijeve tregtare, që kanë kaluar natën e kaluar në radën pranë portit të Durrësit, kanë marrë masa për sigurimin e tyre, ndërsa sot paradite nga porti kanë dalë vetëm dy anije të tonazhit të mesëm, të cilat do të presin përmirësimin e motit për t'u nisur në destinacionet përkatëse, u shprehën burimet portuale, duke shtuar se "motopeshkatoret dhe anijet e tonazhit të vogël nuk do të lëvizin nga porti për shkak të stuhisë detare".
Mësohet se gjatë ditës elektrovinxhat dhe mjetet e tjera shkarkuese në port do të punojnë në vartësi të forcës së erës dhe reshjeve të shiut, ndërkohë që njoftimet sinoptike bëjnë me dije se moti i keq do të vazhdojë edhe në 24 orët e ardhshme.

Situata nuk paraqitet më e mirë në Portin e Vlorës ku është ndërprerë puna që nga ora 04:00 e mëngjesit për shkak të stuhisë. Era e fortë që ka ngritur dallgët në fuqinë 4-5 ballë në gji dhe 5 ballë jashtë tij ka bërë që anijet e tonazhit të rëndë të ndërpresin punën e të vendosen në radë për të vazhduar më tej përpunimin. Pasi mbërriti me vonesë në Port, trageti Brindisi-Vlorë do të lundrojë në drejtim të Italisë vetëm në varësi të qëndrueshmërisë së motit.

Situata e mbrëmshme meterologjike në Vlorë e Durrës, e cila shkaktoi vonesa dhe disa probleme në këto porte, erdhi pas gati tre muaj qetësie dhe mungese reshjesh gjatë stinës së verës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›